Mjetet e komunikimit, ndërmjet protagonizmit e shërbimit: reflektim i Atë Federiko
Lombardit për mesazhin e Papës kushtuar Ditës së Komunikimeve 2008.
(27.01.2008 RV)“Mjetet e komunikimit shoqëror, ndërmjet protagonizmit e shërbimit”-
kjo është tema e Mesazhit të Ditës së Komunikimeve Shoqërore të këtij viti. E, për
ta shpjeguar më mirë, Papa shton fjalët: “Kërkoni të vërtetën, për ta ndarë së bashku”. Fakti
që mjetet e komunikimit masiv sot kanë një ndikim vendimtar mbi jetën personale e
shoqërore, nuk mund të vihet në dyshim. Ajo që duhet të na shqetësojë seriozisht,
është pyetja në se vihen në shërbim të së mirës së njerëzve e të së mirës së përbashkët
të shoqërisë. E kjo, sepse shpesh kemi arsye të dyshojmë, ose të pësojmë zhgënjime
të hidhura. “Tepër shpesh – vëren Papa - të krijohet përshtypja se komunikimi pretendon
jo vetëm të paraqesë realitetin, por edhe ta sundojë atë, në sajë të pushtetit dhe
forcës së tij sugjestionuese. Vërehet, për shembull, se mjetet e komunikimit nuk i
përdorin gjithnjë ngjarjet për të dhënë informacion, por kanë prirjen për t’i krijuar
vetë ngjarjet”. “Duhet shmangur rreziku që mjetet e komunikimit të bëhen megafon i
materializmit ekonomik dhe i relativizmit etik, plagë të hapura në kohën tonë. Ato
mund e duhet të kontribuojnë për të njohur të vërtetën mbi njeriun, për ta mbrojtur
përballë atyre që përpiqen ta mohojnë e ta shkatërrojnë. Mund të thuhet edhe se kërkimi
e paraqitja e së vërtetës mbi njeriun, përfaqësojnë thirrjen më të lartë të komunikimeve
shoqërore”.E ky është edhe qëllimi i vërtetë i mjeteve të komunikimit. Nuk do të përsëritet
kurrë aq sa duhet parimi kryesor mbi të cilin duhet të bazohen: “Fjala – e thënë,
e shkruar ose e shprehur me figura – është bërë për të vërtetën, për të thënë të vërtetën,
për të favorizuar takimin ndërmjet njerëzve, në kërkimin dhe gjetjen e së vërtetës.
Nuk bëhet këtu fjalë për krijimin e një bote idilike. Bëhet fjalë për të kuptuar se
po vihet në lojë cilësia e ardhmërisë së bashkëjetesës sonë njerëzore. Shtrohet për
zgjidhje problemi: pushteti i jashtëzakonshëm i mjeteve të komunikimit duhet të përdoret
si ‘mjet i pushtetit’ apo si mundësi për të thelluar njohjen, dialogun e bashkimin,
duke respektuar lirinë dhe dinjitetin e tjetrit. T’i shërbesh së vërtetës, për komunikatorët
nuk është fjalë boshe, por impenjim moral, i përvujtë e i madh, në punën e përditshme,
në përdorimin e çdo fjale.