2008-01-26 10:09:13

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të ‘A’ :Zoti është drita ime e shpëtimi im!


(26.01.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Liturgjia e Fjalës e kësaj së diele e shpall Jezusin “dritë të botës”. Nevoja e dritës është ndër gjërat më themelore e të domosdoshme për qeniet e gjalla dhe mund të themi se simboli i dritës është vet shëmbëlltyrë e jetës. Kështu drita bëhët natyrshëm edhe simbol i fesë. Thirrja që Jezusi na bënë në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele për ta ndjekur, kërkon kthimin e njeriut në udhën e Zotit, do të thotë kalimin nga errësira në dritë. Ta dëshmosh me jetë e ta kumtosh ungjillin e tij do të thotë t’ia çosh dritën e Jezusit të gjithëve.
Në ungjillin (Mt 4,12-23) e kësaj së diele kumtimi i afërimit të mbretërisë së Zotit nënkuptohet si çlirim nga çdo formë e së keqes dhe plotësimin e jetës. Në personin e Jezu Krishtit ne zbulojmë se mbretëria e Hyjit në rend të parë është depertim i dashurisë së Zotit në realitetin e tanishëm e se kjo dashuri i ofrohet të drejtëve dhe mëkatarëve, të gjithëve pa dallim e pa diskrimin, dashuria e Zotit është afërsi që e pajton dhe e bënë të ndritshme jetën. Leximi i parë nga Izaia profet, ( Iz 8,23-9,3) e përforcon këtë orijentim: kur gjendemi në mjerim e nën trysni tundohemi të kërkojmë përgjigjet e jetës në idhuj, mirëpo shpëtimi i vërtetë mund të vij vetëm prej Zotit. Edhe bashkimi i ‘popullit të Zotit’ vjen prej Tij, përmes Jezu Krishtit: në leximin e dytë Pali ( 1Kor 1,10-13.17)na fton të rizbulojmë pikërisht pagëzimin, që do të thotë të jesh i zhytyr, i shartuar në Krishtin, çka do të thotë ta kërkosh Jezusin si pik e vetme referimi e bashkimi. Atëherë vështruar në këtë dritë, ndarjet e përçarjet mes mesh duken absurditet. Jezu Krishti ka ardhur për të sjell dritën e afërimit e të bashkimit mes njerëzve dhe Hyjit si dhe bashkimin vëllazëror të njerëzve. E për këte na fton të “kthehemi, se Mbretëria e Hyjit është afër”. Detyra jonë është ta pranojmë me bujari thirrjen apo misionin tonë e të ecim gjurmëve të Mësuesit Hyujnor në dritën e dashurisë e të drejtësisë që Ai na propozon. Jezusi na tregon udhën e dritës e të jetës dhe na thërret të jemi bartës të dritës që buron prej Tij në botë, né mënyrë që sa më mirë e sa më tepër drita e Tij Hyjnore të shndritë zemrat e mendjet e njerëzve.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.