2008-01-26 11:58:29

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


27 janar: Frumenci dhe Edesi, dy djelmosha që ia ndryshuan faqen Etiopisë.
RealAudioMP3 Në portin e Adulis, në Etiopi, është ankoruar një anije, mbi të cilën lundrojnë Meropi i urtë, që kthehet nga një udhëtim zbulimi në Indi dhe nxënësit e tij të rinj, Frumenci dhe Edesi. Meropi është tepër i kënaqur: në këtë port do të mund të furnizohet me ushqime, sepse anija është boshatisur e udhëtimi deri në perandorinë romake është akoma tepër i gjatë. Por papritmas bëhet personazh i një tragjedie. Banorët e vendit i sulen anijes, hyjnë brenda si rrebesh e përlajnë gjithçka gjejnë, duke masakruar edhe ekuipazhin, i cili përpiqet më kot të shpëtojë atë që mund të shpëtohet. Vetëm Frumenci dhe Edesi arrijnë të fshihen me kohë. Kur barbarët nisen e shkojnë, ata të dy, më në fund, zbresin në tokë. Po ku të mbyten, në një vend kaq armiqësor? Si kanë kaluar orë e orë nën një pemë, vendasit i gjejnë, i mbërthejnë me zinxhirë e i zvarrisin para mbretit të Aksumit, për t’i shitur si skllevër.
Për fat mbreti e vëren menjëherë se dy të rinjtë janë tepër të zgjuar e se dinë shumë gjëra. Vendos, prandaj, që Frumencin, më të madhin nga të dy, ta bëjë sekretarin e vet dhe e ngarkon me detyrën të kujdeset për pasuritë e mbretërisë.
Ndërsa Edesi caktohet kujdestar i kupës së mbretit: ka për detyrë t’ia mbushë kupën me verë kur ulet për të ngrënë. Detyra e kujdestarit të kupës asokohe ishte tepër e rëndësishme. Shumë shpejt krejt familja mbretërore lidhet ngushtë me dy të rinjtë romakë, të cilët fitojnë simpatinë e të gjithëve. Trajtohen me dashuri të madhe derisa u kthehet rishtas liria. Por ja që një ditë mbreti vdes. Me që i biri, Ezanas, është tepër i ri për t’u ulur në fronin e të jatit, i kërkohet mbretëreshës ta udhëheqë vendin, në pritje që Ezanasi të rritet. Mbretëresha, atëherë, i lutet Frumencit dhe Edesit të mos largohen, por ta ndihmojnë për të qeverisur e për të mbrojtur të birin. Ua beson atyre edhe edukimin e mbretit të ardhshëm, Ezanas. Kështu dy romakët, që ishin të krishterë, i tregojnë mbretit të ri jetën e Krishtit dhe e mësojnë të lutet. Shumë shpejt Ezanasin e bën për vete feja e re. Banorët e vendit të tij besojnë në shumë hyjni, ndërsa Frumenci dhe Edesi, në një Zot të vetëm. Mbreti i ardhshëm bindet se kanë të drejtë, se ekziston një Zot i vetëm, që ka krijuar botën e që i do të gjithë njerëzit. Ezanasi bëhet i krishterë e me të, shumica e etiopasve.
Kur Ezanasi rritet aq, sa të jetë në gjendje të qeverisë, Frumenci me Edesin nisen për në perandorinë romake ku, pas shumë vjet mungese, rigjejnë familjet e tyre. Të dy bëhen priftërinj. Por nuk e harrojnë kurrë Etiopinë; atje tashmë ka shumë të krishterë, por nuk ka asnjë meshtar që t’i përforcojë në fe. Frumenci vendos të kthehet në Afrikë, ku bëhet ipeshkvi i parë i Etiopisë e jeton deri në vdekje në gjirin e bashkësisë së lulëzuar kristiane të vendit, ku sundon mbreti Ezanas.







All the contents on this site are copyrighted ©.