(25.01.2008 RV)Pas takimeve dy ditore në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim
Thaçi deklaroi se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian do të marrin një vendim të përbashkët
për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjëja më e rëndësishme – tha ai – është që shpallja
e pavarësisë të shoqërohet me njohje cilësore ndërkombëtare dhe me gjendje të qetë
e paqësore në Kosovë. Thaçi u sigurua sot sërish nga zv.ndihmës-sekretarja e shtetit
amerikan, Rozmari Di Karlo, për vizitë në Prishtinë, e cila deklaroi se “SHBA-të mbështesin
pavarësinë e Kosovës”, sipas planit të Ahtisarit. Ndërkaq, presidenti serb Boris
Tadiç ka shprehur dyshime lidhur me njohjen e pavarësisë nga Bashkimi Evropian, si
institucion i vetëm. Me siguri, sipas tij, Kosova do të njihet si shtet nga vende
të caktuara evropiane, por jo nga të gjitha. Në Moskë, sëbashku me kryeministrin Vojisllav
Koshtunica, Tadiç theksoi se Serbia nuk do të heqë dorë nga interesat e saj në Kosovë.
Gjithashtu, mund të hedhë në gjyq të gjitha vendet që do ta njohin pavarësinë e saj.
Për këtë, Beogradi gjen mbështetje të fortë tek Rusia. Sot, presidenti rus Vladimir
Putin përsëriti se Moska do të kundërshtojë kategorikisht shpalljen e pavarësisë së
Kosovës. Në përpjekjen e fuqishme për t’u kthyer në Ballkan, si fuqi botërore, Rusia
ka interes të përkrahë rizgjedhjen e presidentit Tadiç, në vend të ultranacionalistit
Nikoliç. Sot, Tadiç dhe Koshtunica nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme energjitike
me Rusinë, sipas së cilës kompania ruse Gazprom blen 51% të ndërmarrjes më të madhe
të gazit e naftës në ish-Jugosllavi, atë të Nishit. Gazpromi, në bashkëpunim me Enin,
do të ndërtojë gazsjellësin “South Stream” (Rryma e Jugut), e cila do të furnizojë
krejt Ballkanin.