2008-01-25 17:22:22

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


25 janar: Koncili Nikesë i përgjigjet pyetjes themelore: “Po kush është Zoti?”
Ipeshkvit Atanas i kujtohej mendimi që kishte pasur për Zotin, para se ta njihte Jezusin. Kur ishte fëmijë, përfytyronte një Hyj që rri shumë larg njerëzve, në qiell, përtej yjeve. Një Hyj të vetmuar, pa miq, aq të përkryer e aq të pafundmë, sa të mos kishte nevojë për asgjë, për askënd.
E kështu, vetmitar, e përfytyronte Zotin edhe Ario, meshtar i Aleksandrisë, në fillim të shekullit IV, kur ishte i bindur plotësisht se ky Hyj është tepër i largët e se prandaj u ndje nevoja për një ndërmjetës, për Jezusin, i cili nuk ishte i njëjtë me Hyjin.
Duke lexuar Ungjijtë, Atanasi nisi të kuptojë se këto ide ishin të gabuara, sepse vetë Krishti pohon: “Kush më shikon mua, shikon Atin!”. Por në se Hyji është Atë, kjo do të thotë se ai nuk është i vetëm: sepse s’ka atë pa bir!
Vinte pastaj një pyetje tjetër, që priste përgjigje: “A ishte Hyj edhe Krishti?”.
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në vitin 325 Atanasi u nis për në Koncilin e Nikesë, një qytet në brigjet e një liqeni në Azinë e Vogël. Koncili ishte një mbledhje e ipeshkvjve, që Perandori romak, Kostandini, duke u kthyer në fenë e krishterë, i kishte thirrur për të përcaktuar qartë Besojmën e të krishterit.
Në Nike diskutimet vijonin plot gjallëri; një Atë e një Bir, ose një Atë e një bijë, a janë të njëjtë e njëkohësisht edhe të ndryshëm? Janë qenie njerëzore, por njëri nuk mund ta zëvendësojë tjetrin, sepse personaliteti i tyre nuk është i njëjtë. Mund të thuhet se kanë të njëjtën natyrë, të njëjtën substancë, por se janë dy vetje të ndryshme. Pra, në se Jezu Krishti është Bir i Hyjit, edhe ai duhet të jetë Hyj, por në formën e Birit.
Përgjigjet që dhanë etërit në Koncilin e Nikesë janë pikërisht ato, që shpallim edhe ne sot në Besojmë gjatë Meshës Shenjte: ‘Besoj në një Hyj të vetëm…. Besoj në një Zot të vetëm, një të vetmin Birin e Hyjit, që ka të njëjtën substancë me Atin”...
Më pas në Koncilin e Kostandinopojës, iu dha përgjigje edhe pyetjes mbi Shpirtin Shenjt.
Kështu pra: pikërisht në Nike u përdor për herë të parë fjala ‘Vetje’, që tregon një ekzistencë të vetme, e cila njëkohësisht përfshin edhe të tjera. Kjo mënyrë e të folurit për Hyjin, ndriçoi edhe mënyrën e të folurit për njerëzit. Pas reflektimit të Nikesë, nisi të pohohej se çdo qenie njerëzore është unike e se gëzon disa të drejta të patjetërsueshme: nisi, pra të flitej për herë të parë për të drejtat e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.