Shqipëria mendon për herë të parë për turizmin fetar
(23.01.2008 RV)Shqipëria po përgatit një ligj, që përcakton më mirë kompetencat
e Komitetit të Kulteve. Në të parashikohet edhe një kontroll mbi financimet e të gjitha
institucioneve fetare. Ndërkaq, Komiteti punon me raportin e Ambasadës amerikane për
fenë në Shqipëri. Sipas tij, në Shqipëri punojnë 245 grupe, organizata dhe fondazione
fetare, përfshirë edhe ato të katër bashkësive fetare tradicionale. Raporti, që i
referohet vitit 2006, shpjegon, se përsa i përket katër bashkësive kryesore fetare,
në Shqipëri ka 630 xhami, 137 teqe bektashiane, 689 kisha dhe manastire ortodokse
dhe 135 kisha katolike. 241 bashkësitë e tjera janë shoqata, fondacione dhe organizata,
shumica e të cilave protestante. Për vlerën e kishave dhe të xhamiave është interesuar
më në fund edhe Ministria e Kulturës, e cila ka vendosur të japë 150 milion lekë për
përmirësimin e turizmit fetar. Në listën e objekteve që do të përfitojnë nga ky fond
bëjnë pjesë Monumente të Kulturës si Kisha e Shën Kollit, Kisha e Labovës së Kryqit,
xhamia e Beqareve në Berat dhe fondi i ikonave të këtij qyteti, Manastiri i Mesopotamit
etj. Ndërkaq, gjatë vitit 2007 janë restauruar vetëm tri objekte kulti: Kisha e Shirqit,
Kisha e të Shëlbuemit në Rubik dhe ikonostazi në Muzeun e Onufrit.
Qeveria
çeke miratoi dje projektligjin për shpërblimin e dëmeve të pësuara nga Kisha gjatë
regjimit komunist. Kishës do t’i kthehet një e treta e pasurive të sekuestruara në
vitet ’50, ndërsa dy të tretat do të dëmshpërblehen me 3,2 miliard euro, të cilat
do t’i jepen Kishës gjatë 60 vjetëve të ardhshme. Në fund, duke përfshirë edhe interesat,
shteti do t’i paguajë kishës rreth 10,4 miliard euro. Nëse do të miratohet nga parlamenti
dhe do të nënshkruhet nga presidenti, ligji do të hyjë në fuqi në vitin 2009. Në Republikën
Çeke veprojnë 17 kisha të financuara nga shteti, prej të cilave më e rëndësishmja
është ajo katolike.