2008-01-24 18:02:13

Pavarësia e Kosovës do të shpallet më 6 shkurt


(24.01.2008 RV)Pavarësia e Kosovës do të shpallet më 6 shkurt. Ky është lajmi sensacional i Radio Kosovës, e cila ka cituar sot burime pranë kryeministrit Hashim Thaçi. Mesa duket do të jetë diçka e shpejtë, pasi, gjithnjë sipas radios, parlamenti i Kosovës do të miratojë atë ditë dokumentin e pavarësisë dhe të njëjtën gjë do të bëjnë edhe vendet që kanë premtuar njohjen e saj. Akoma nuk dihet nëse Bashkimi Evropian do ta njohë si një i tërë pavarësinë, apo nëse kjo do t’i lihet politikës së çdo vendi.
Sot paradite, Thaçi u takua në Bruksel me Komisarin evropian për zgjerimin, Olli Rehn dhe më pas me Përfaqësuesin e lartë për politikën e jashtme, Havier Solana. Prej tyre, ai u sigurua se Bashkimi Evropian do të respektojë impenjimet e marra për Kosovën. Sipas Rehn, zgjidhja e problemit të statusit duhet të jetë një proces i koordinuar.

Ndërkaq, për Kosovën kanë folur edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner, të dy në Davos të Zvicrës për Forumin ekonomik botëror. Sipas Berishës nuk do të ketë shpallje të njëanshme të pavarësisë. Temë tjetër në bisedime ka qenë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
E pikërisht nga ambasadori i Rusisë në NATO, Dmitrij Rogozin vjen deklarata që e konsideron njohjen e pavarësisë së Kosovës si hapjen e “Vazos së Pandorës”. Sipas Rogozin, statusi i Kosovës do të sjellë me vete probleme të tjera në të gjithë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.