Mjetet e komunikimit shoqëror ndërmjet protagonizmit e shërbimit: u paraqit sot Mesazhi
i Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore.
(24.01.2008 RV)“Mjetet e komunikimit shoqëror duhet të jenë në shërbim të njeriut
e të mos bëhen megafon i materializmit ekonomik dhe i relativizmit etik, plagë të
hapura në kohën tonë”. Kështu shkruan Papa në Mesazhin për Ditën e ardhshme Botërore
të Komunikimeve Shoqërore me temë “Mjetet e komunikimit shoqëror: në udhëkryq ndërmjet
protagonizmit e shërbimit. Të kërkohet e vërteta, për ta ndarë së bashku”, që do të
kremtohet më 4 maj. Mesazhi u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit,
në ditën kur kremtohet festa liturgjike e Shën Françeskut të Sales, Pajtor i shtypit
katolik, figurën e të cilit Papa e kujtoi dje, në audiencën e përgjithshme të së
mërkurës. “Sot njerëzimi ndodhet në udhëkryq”- shkruan Papa – mjetet e komunikimit,
ashtu si progresi, ofrojnë mundësi të panjohura më parë, për të mirën e njerëzimit,
por njëkohësisht krijojnë mundësitë për të hapur edhe gremina të së keqes, të cilat
më parë nuk ekzistonin. Në të vërtetë, në sajë të zhvillimit të vrullshëm teknologjik,
këto mjete kanë fituar pushtet të jashtëzakonshëm. Është i pamohueshëm – pohon Ati
i Shenjtë – kontributi i tyre për alfabetizimin, për zhvillimin e demokracisë dhe
për dialogun ndërmjet popujve. Gjithsesi – shton Benedikti XVI – nuk duhet të jenë
vetëm mjete për përhapjen e ideve, por edhe mjete në shërbim të ndërtimit të një bote
më të drejtë e më solidare. E nuk duhet harruar se ekziston edhe rreziku që ato të
shndërrohen në sisteme që kanë për qëllim t’ia nënshtrojnë njeriun logjikave të diktuara
nga interesat sunduese të çastit. “Është rasti i komunikimit të përdorur për
qëllime ideologjike ose për shitjen e prodhimeve të konsumit, përmes një publiciteti
marramendës. Me pretekstin e paraqitjes së realitetit, në të vërtetë bëhen përpjekje
për të përligjur e për të imponuar modele të rreme të jetës personale, familiare e
shoqërore. Përveç kësaj, për të favorizuar edhe të ashtuquajturën ‘audiencë’ apo
për të shtuar numrin e shikuesve, shpesh herë arrihet pa pikën e ngurrimit në shkelje,
në vulgaritet e dhunë. Ekziston, së fundi, edhe rreziku që, përmes mediave, të propozohen
e të mbështeten modele zhvillimi, që e thellojnë, në vend që ta kufizojnë, hendekun
teknologjik ndërmjet vendeve të pasura e atyre të varfëra”. Duhet pyetur –
shkruan Papa – a është gjë e urtë të lejosh që mjetet e komunikimit shoqëror të kthehen
në mjete që i shërbejnë protagonizmit, ose që përfundojnë në dorën e njerëzve të cilët
i shfrytëzojnë për të manipuluar ndërgjegjet? Ndërsa duhet të vihen në shërbim të
njeriut e të së mirës së përbashkët? Papa vë në dukje se mjetet e komunikimit nuk
po e luajnë rolin për të cilin janë krijuar, gjë që e shqetëson seriozisht Kishën: “Sot,
në mënyrë gjithnjë më të theksuar, të krijohet përshtypja se komunikimi pretendon
jo vetëm të paraqesë realitetin, por edhe ta sundojë atë, në sajë të pushtetit dhe
forcës së tij sugjestionuese. Vërehet, për shembull, se mjetet e komunikimit nuk i
përdorin gjithnjë ngjarjet për të dhënë informacion, por kanë prirjen për t’i krijuar
vetë ngjarjet”. Papa thekson se, për ndikimin e tyre mbi ndërgjegjet e njerëzve,
mjetet e komunikimit shoqëror luajnë sot një rol nga më të rëndësishmit në atë, që
Benedikti XVI e quan ‘sfida më e rëndësishme e mijëvjeçarit të tretë’, apo çështja
antropologjike. Vihen në lojë jeta njerëzore, martesa, familja, paqja, drejtësia,
mbrojtja e Krijimit. E kur komunikimi humbet vlerat etike dhe i rrëshqet kontrollit
shoqëror, krijon rrezikun e kushtëzimit të lirisë e të vetë jetës së njerëzve. Pikërisht
për këtë arsye – shton Ati i Shenjtë – është e domosdoshme që mjetet e komunikimit
ta mbrojnë me të gjithë forcat njeriun e ta respektojnë plotësisht dinjitetin e tij.
E, në këtë kuptim, nënvizon nevojën e nji ‘info-etike’, ashtu siç ekziston bio-etika
në fushën e mjekësisë dhe të kërkimit shkencor, që lidhet me jetën. “Duhet shmangur
rreziku që mjetet e komunikimit të bëhen megafon i materializmit ekonomik dhe i relativizmit
etik, plagë të hapura në kohën tonë. Ata mund e duhet të kontribuojnë për të njohur
të vërtetën mbi njeriun, për ta mbrojtur përballë atyre që përpiqen ta mohojnë e ta
shkatërrojnë. Mund të thuhet edhe se kërkimi e paraqitja e së vërtetës mbi njeriun,
përfaqësojnë thirrjen më të lartë të komunikimeve shoqërore”. Është një detyrë
vërtetë e lartë – vijon Papa – e cila në sajë të mjeteve të reja të komunikimit, na
përket të gjithëve, sepse të gjithë, në epokën e globalizimit, jemi njerëz që përfitojnë
e që kontribuojnë në dobi të këtyre mjeteve. Njeriu është në kërkim të së vërtetës
dhe e vërteta që na bën të lirë është Krishti – përfundon Papa - prandaj nuk duhet
të mungojnë kurrë komunikatorët e vërtetë, dëshmitarët e guximshëm të së vërtetës,
besnikë ndaj mësimeve të Krishtit e transmetues të pasionuar të mesazhit të fesë.