2008-01-24 18:09:28

Mijëra palestinezë nga Gaza në Egjipt. Mubarak: gjendje katastrofike


(23.01.2008 RV)Autoritetet ushtarake izraelite penguan sot hyrjen e kamionëve me mallra për popullsinë e Gazës, në pikën kufitare të Kerem Shalomit, që ndodhet ndërmjet Izraelit, Egjiptit e Rripit të Gazës. Ndërkaq, një ditë pasi kufiri me Egjiptin u hodh në erë e 350 mijë palestinezë mundën të kalonin në Egjipt, Ministri i jashtëm i Kajros bëri të ditur se ai do të mbetet i hapur derisa të vazhdojë kriza humanitare në Rripin e Gazës. Gaza, në duart e Hamasit, nuk furnizohet më nga Izraeli me karburant e me ushqime. Pas hapjes së kufirit, mijëra persona e kanë zgjidhur problemin duke blerë në Egjipt. Edhe krerët e kishave të Jeruzalemit kanë kërkuar fundin e rrethimit të Gazës nga ana e Izraelit.

Vazhdojnë ndeshjet me armë dhe dhuna në Irak. Bilanci i fundit i policisë flet për 34 të vdekur e 217 të plagosur. Mbrëmë në Mosul, një ndërtesë u hodh në erë me eksploziv. Shumica e viktimave janë civilë. Në të njëjtin vend, sot u vra kreu i policisë. Në frontin politik, presidenti iranian Ahmadinexhad ka pranuar të bëjë një vizitë në Irak. Është hera e parë që një lider iranian shkon në Bagdad. Data nuk është njoftuar zyrtarisht, por mediat flasin për mesin e marsit.

48 viktima – 40 militantë dhe 8 ushtarë – në luftimet në jug të Vaziristanit, ndërmjet talebanëve dhe ushtarëve pakistanezë. Operacioni ishte organizuar kundër lideri taleban, që mendohet të jetë mendja e atentatit kundër Benazir Butos.

Dita e dytë e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Në rendin e ditës disa tryeza të rrumbullakta. Ish-zv.presidenti amerikan Al Gore foli mbi marrëdhëniet ndërmjet sfidave klimatike dhe varfërisë. Presidenti i Pakistanit dhe ai i Afganistanit diskutuan mbi stabilitetin e rajonit të tyre. Procesi i paqes në Lindjen e Mesme në qendër të debatit ndërmjet presidenti izraelit, Shimon Peres dhe kryeministrit palestinez, Salam Fajad. E ishte edhe dita e Bill Gejts, presidentit të Këshillit Administrativ të Mikrosoftit, i cili ka premtuar Akademi Dixhitale për Shqipërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.