Thirrje e Papës edukatorëve që të rigjejnë kuptimin dhe guximin e misionit të tyre.
(23.01.2008 RV)Duhet gjetur guximi për t’i edukuar të rinjtë me një ekulibër
të drejtë ndërmjet lirisë e disiplinës, në një kohë kur shpesh herë prindërit e mësuesit
e humbasin kuptimin e misionit të tyre. Këtë pohon Papa në Letrën e shkruar me rastin
e Ditës së Shkollës katolike të dioqezës së Romës, që u kremua të dielën e kaluar.
Teksti, që mban datën 21 janar, u publikua sot. Në Letër, Papa thekson emergjencën
edukative të kohës sonë. Nuk ka qenë kurrë e lehtë të edukosh – pohon Ati i Shenjtë
– por sot duket se po bëhet gjithnjë më e vështirë… gjë që e dinë mirë si prindërit,
ashtu edhe ata që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta edukative e që shikojnë gjithnjë
më shpesh dështimin e përpjekjeve të tyre. Atëherë, në mënyrë të natyrshme, dënohen
breznitë e reja, sikur fëmijët që lindin sot të ishin ndryshe nga ato që lindnin në
të kaluarën. Apo ndoshta duhet menduar se fajin e kanë të rritur, që nuk janë më
të aftë për të edukuar? Sot si prindërit, ashtu edhe edukatorët, tundohen fuqimisht
të heqin dorë nga misioni i tyre, madje në se kanë arritur ta kuptojnë këtë mision
që u është besuar. Në të vërtetë – lexojmë akoma në Letrën papnore - ekziston një
atmosferë, një mendësi e një formë kulture, që të bëjnë të dyshoh për vetë vlerën
e njeriut e për vetë kuptimin e së vërtetës e të së mirës. Kështu bëhet gjithnjë
më urgjente kërkesa për një edukim që të jetë vërtetë i tillë. E kërkojnë prindërit,
shpesh herë në ankth për ardhmërinë e bijve; e kërkojnë shumë mësues, që shqetësohen
degradimin e shkollave të tyre; e kërkon shoqëria, që shikon të vihen në dyshim vetë
bazat e bashkëjetesës; e kërkojnë, thellë në shpirt, edhe fëmijët e të rinjtë, që
nuk duan të braktisen përballë sfidave të jetës. Edukimi i vërtetë – shkruan Papa
– ka nevojë për afërsinë e për besimin, që lindin nga dashuria. Edukatori i vërtetë
e di se për të edukuar, duhet të dhurosh diçka nga vetvetja e se nuk mund të mjaftohesh
vetëm në dhënien e koncepteve e të informacioneve, duke e lënë mënjanë pyetjen e madhe
që ka të bëjë me kërkimin e së vërtetës, asaj së vërtete, e cila mund të jetë udhërrëfyese
në jetë. Edhe vuajtja – shkruan Papa - bën pjesë në jetën tonë. Prandaj, në se
përpiqemi t’i mbrojmë të rinjtë nga vështirësitë e nga pervoja e dhimbjes, rrezikojmë
të rrisim njerëz të brishtë e pak bujarë: nuk duhet harruar se aftësia për të dashur,
përkon me aftësinë për të vuajtur së bashku. Prej këndej, Papa thekson pikën më
delikate të veprimtarisë edukative: gjetjen e ekuilibrit ndërmjet lirisë e disiplinës.
Pa respektuar disa rregulla në sjellje e në jetë, duke i vlerësuar ditë për ditë edhe
në gjërat më të vogla, nuk mund të formohet karakteri e nuk mund të përgatitemi për
të përballuar provat, të cilat sigurisht nuk do të mungojnë në të ardhmen. Në takimin
e dy lirive: asaj të edukimit të suksesshëm e asaj të formimit për përdorimin e drejtë
të lirisë, Papa nxit të pranohet rreziku i formimit për përdorimin e drejtë të lirisë,
duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë, ndihmës që u duhet dhënë të rinjve, të
cilët duhen qortuar, pa ua fshehur gabimet, pa mbyllur njërin sy, ose edhe më keq,
duke ua pranuar, si të ishin arritje e re e progresit njerëzor. Edukimi nuk mund të
ecë përpara, në se nuk pranohet ushtrimi i autoritetit. Përgjegjësia – vijon Papa
– në radhë të parë është personale, por ka edhe një përgjegjësi tjetër, që u takon
të gjithë qytetarëve. Është e nevojshme, prandaj, që secili nga ne, secili njeri,
secila familje ose secili grup shoqëror, të japë ndihmesën e vet, që mbarë shoqëria
të bëhet një mjedis i përshtatshëm për edukim. Shpirti i edukimit, ashtu si i
jetës - lexojmë akoma në tekstin papnor – mund të jetë vetëm një shpresë e besueshme.
Sot shpresa jonë është e rrethuar nga të katër anët e ka rrezik që edhe ne, ashtu
si paganët e lashtë, të bëhemi njerëz pa shpresë e pa Zot: prandaj mund të thuhet
se sot, në rrënjët e krizës së edukimit, është kriza e besimit në jetën.Në përfundim
Benedikti XVI u drejton të gjithëve ftesën për t’a mbështetur në Zotin gjithë besimin
tonë, sepse vetëm Ai është shpresa që u bën ballë zhgënjimeve e nuk është kurrë shpresë
individualistike, por gjithnjë shpresë për të tjerët; nuk na izolon, por na nxit
të edukojmë njëri-tjetrin me të vërtetën e dashurinë.