2008-01-23 18:31:48

Thaçi në Bruksel për pavarësinë e Kosovës


(23.01.2008 RV)Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, që u miratua mbrëmë, vë në dukje se zona është një “fuçi baruti”, që mund të shpërthejë nga momenti në moment dhe të rrisë më tej tensionet politike ekzistuese në Ballkan.
Shumica e 318 parlamentarëve kërkon që të gjendet sa më shpejt një zgjidhje e negociuar, për të shmangur imponimin nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do ta kthente Kosovën në të ashtuquajturin “konflikt të ngrirë”. Por ka nga ata, si Xhovani Di Stazi, kreu i Qendrës për zhvillimin e demokracisë lokale të Këshillit të Evropës, i cili ka ndjekur zgjedhjet e tre muajve më parë në Kosovë, që mendojnë se Evropa duhet të vendosë një herë e përgjithmonë dhe t’i detyrojë palët të pranojnë një zgjidhje të vetme, pa u zgjatur më tej, në mënyrë që të kenë mundësinë të fillojnë mbi atë bazë dialogun dhe bashkëpunimin e anasjelltë.

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ndodhet sot e nesër në Bruksel për takime me përfaqësuesit e NATO-s dhe të institucioneve evropiane. Temat në tryezën e bisedimeve janë e ardhmja e Kosovës dhe misioni i ri i Bashkimit Evropian në vend.
Po sot, ndërsa Thaçi takohej me krerët e NATO-s, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov nga Moska, paralajmëronte fuqitë botërore se rasti i Kosovës do të krijojë precedent. “Jo pse e duam ne – theksoi ai – por, sepse janë rreth 200 zona në botë me të njëjtat probleme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.