Fantazma e krizës në Forumin ekonomik botëror në Davos
(23.01.2008 RV)Frikë nga një kthim
mbrapa i ekonomisë, krizë e kreditit dhe ndikim i rëndë i saj mbi tregjet e mbi besimin
e konsumatorëve: në këtë klimë shumë delikate hapet në Zvicër, Forumi ekonomik botëror
i Davosit. Marrin pjesë 1370 administratorë të deleguar dhe presidentë shoqërish,
27 krerë shtetesh e qeverish, 113 ministra dhe personalitete të botës akademike, kulturore
e fetare. Në mikrofonin tonë, Rikardo Moro, ekonomist italian, ekspert i bashkëpunimit
ndërkombëtar dhe zhvillimit: Në rendin e ditës në Davos do të jenë edhe gjëra
të tjera, si për shembull çështja e ujit. Kjo është një nga çështjet më delikate në
marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare, sepse ekziston një presion i madh i botës së afaristëve,
por edhe të qeverive për privatizimin e përgjithshëm të tregut të ujit. Pas kësaj
ekziston ideja se uji është një nevojë e si e tillë, mund të shpërndahet përmes mekanizmave
të tregut.
Irani ka ndërmend ta vazhdojë programin e vet bërthamor
dhe sanksionet nuk na trembin. Kështu deklaroi sot presidenti Ahmadinexhad, të nesërmen
e vendimit për të ashpërsuar masat kundër Teheranit, marrë mbrëmë në Berlin, nga grupi
5+1, pra nga ministrat e jashtëm të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
të OKB-së dhe Gjermanisë. Në projektin e tretë të rezolutës, që duhet përmirësuar
akoma, përmenden edhe bisedime të drejtpërdrejta me Republikën Islamike.
Komisioni
Evropian miratoi planin për luftën kundër ndryshimeve të klimës. Është fjala për
një seri normash, të cilat shërbejnë për të vënë në jetë impenjimet e marra vitin
e kaluar. Ato parashikojnë reduktimin e emetimit të dioksidit të karbonit në masën
20% deri në vitin 2020, rritjen me 20% të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme
dhe rritjen me 10% të përdorimit të biokarburanteve në transport.