2008-01-22 18:14:09

UNICEF: çdo ditë në botë vdesin 26 mijë fëmijë nën 5 vjeç


(22.01.2008 RV)RealAudioMP3 Çdo ditë në botë vdesin 26 mijë fëmijë nën moshën 5 vjeç, për shkak të sëmundjeve ngjitëse dhe dizanterisë. Kjo është e dhëna kryesore e Raportit të UNICEF-it 2008, që u paraqit sot paradite në Romë. Titulli i tij: “Gjendja e fëmijëve në botë. Të lindësh e të rritesh i shëndetshëm”. Natyrisht, fëmijët jetojnë më keq në zonat ku konfliktet vazhdojnë me vite, siç nënvizoi Antonio Sclavi, president i UNICEF-it italian:
Në Afganistan, çdo ditë, çdo njëmijë fëmijë të sapolindur, 257 vdesin. Në Sierra Leone, ku vetëm tani nuk ka më luftë, treguesit kanë mbetur të lartë: 270 të vdekur çdo njëmijë të lindur.
Një problem i madh mbetet Sida. Shumë nëna të sëmura me Sidë ua transmetojnë këtë fëmijëve, duke u rrezikuar atyre seriozisht jetën. Sërish Antonio Sclavi:
Shpesh në disa vende, nënat evitojnë analizat, edhe nëse ua ofrojmë falas, pasi kanë frikë se mos i përzënë nga fshati, e madje edhe nga familja, nga burri. Për to, kjo është një plagë shoqërore, është mbijetesë, pasi ekziston mentaliteti i fajësimit të gruas për çdo gjë.
Gjithsesi, Raporti i UNICEF-it 2008 vë në dukje një rezultat pozitiv. Për herë të parë në histori, vdekshmëria foshnjore për fëmijët nën 5 vjeç është ulur nën 10 milion, duke u ndalur në kuotën 9,7 milion në vitin 2006. Natyrisht, rezultati është larg objektivit të Mijëvjeçarit, i cili parashikon reduktimin e vdekshmërisë foshnjore me dy të tretat deri në vitin 2015, por rruga e nisur, ajo e asistencës mjekësore dhe e vaksinimit, e arësimimit dhe e ndërtimit të rrjeteve ujore, duket se mund të sjellë suksesin e dëshiruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.