2008-01-22 19:02:43

Kryevjetori i vdekjes së Abatit Pierre.


(22.01.2008 RV)Lëvizja ‘Emaus’, themeluar më 1949 për të ndihmuar të varfërit e të pastrehë, përkujtoi sot kryevjetorin e vdekjes së themeluesit, Abatit Pierr (Hanri Grue, 1912- 2007). Kremtimi përkujtimor, i organizuar nga Lëvizja Emaus, e pranishme në 40 vende të ndryshme të botës, filloi sot paradite në Paris, me veprimterinë ‘Ngrënia e mëngjesit në rrugë’, organizuar përpara selisë historike të Lëvizjes në rrugën Burdonè, qendër e pritjes për të pastrehët. Me këtë rast, në praninë e kryetarit të Bashkisë së Parisit, u përurua një pllakë përkujtimore kushtuar Abatit Pierr.
Abati vdiq një vit më parë në moshën 94 vjeçare, në spitalin Val de Grase të Parisit, ku ishte shtruar më 15 janar. Lajmi u prit me shumë emocion në Francë e në mbarë botën. E kjo sepse Abati Pierre prej 60 vjetësh ishte në shërbim të pakursyer të të varfërve nga të katër anët e botës.“E gjithë Franca është prekur thellë në zemër” – me këto fjalë presidenti Shirak u shprehu bashkatdhetarëve ngushëllimet për humbjen e njërit nga personalitetet më të njohura të katolicizmit francez e ndërkombëtar. Lajmi natyrisht shkaktoi dhimbje të thellë në gjirin e Kishës franceze e cila me Abatin Pierre humbi njeriun bujar, solidar e plot vëmendje për njerëzit e braktisur nga shoqëria.







All the contents on this site are copyrighted ©.