2008-01-22 18:19:55

Ipeshkvijtë sllovenë në vizitë ‘ad Limina’. Imzot Uran: të rizbulohet Ungjilli, për t’iu kundërvënë ndikimit të relativizmit etik dhe të konsumizmit mbi jetën e njerëzve në vendin ballkanik.


(22.01.2008 RV)“Krijimi i kushteve të reja të mirëqenies, po i bën shpirtrat e njerëzve më pak të ndjeshëm ndaj fesë së krishterë”. Këtë pohon kryeipeshkvi metropolit i Lubianës, Alojz Uran, i cili që dje kryeson Konferencën Ipeshkvnore të Sllovenisë në vizitën ‘ad Limina’ në Vatikan. Sllovenia është vendi që arriti t’i sigurojë standartet evropiane më shpejt se të gjitha vendet e tjera ballkanike. E tani, sfidat baritore për Kishën vendase janë të ngjashme me ato të Kishave perëndimore.
Shpejtimi i ritmeve të ecjes drejt integrimit në Evropë, u vlerësua një vit më parë me një rekord: atë të vendit të parë të ish-bllokut lindor që nisi të përdorë euron. Ky është realiteti shoqëroro-politik i Sllovenisë, i fuqizuar më tej nga një detyrë e lartë, që filloi më 1 janar 2008 – ajo e presidencës së turnit të Bashkmit Evropian, përveç arritjes, më 21 dhjetorin e kaluar, të një objektivi tjetër lidhur me integrimin komunitar: hyrjes në hapësirën Shengen. Sllovenia, vend i ish–Jugosllavisë, ka ndryshuar si dita me natën.
Kisha vendase, me dy provinça kishtare, që kujdesën për më se një milion katolikë, duhet të përballojë lojën e një skene që ndryshon çdo ditë, në një vend që e njeh Ungjillin prej 1800 vjetësh por që, me sa duket, duhet ta rizbulojë, në përpjekjen për t’iu kundërvënë relativizmit fetar të tipit perëndimor. E kjo kundërvënie, në kushtet e një pasurie në rritje, por që i zbeh ndjeshëm vlerat e një feje të lashtë. Shenja e parë tipike e kësaj prirjeje, është pakësimi i thirrjeve për rrugën meshtarake.“Kisha në Slloveni jeton si Kishat e shumicës së vendeve katolike evropiane” – pohon kryeipeshkvi i Lubianës, imzot Uran. Nga jashtë është nën ndikimin e botës, nga brenda, jeton një krizë feje. Duke u rritur mirëqenia - vijon Imzot Uran – zbehet feja, gjë që manifestohet në mungesën e praktikës fetare. Feja tradicionale zëvendësohet me një fe të re: konsumizmin, pasojat negative të të cilit po duken gjithnjë më shumë në rënien e cilësisë së jetës. Njerëzit duan të kenë, e jo të jenë. Por për fat të mirë – vëren prelati – bashkësisë katolike sllovene nuk i mungojnë edhe shenjat e shpresës, sepse gjithnjë më shpesh, edhe të ashtuquajturit ‘të largët’, i afrohen Kishës, duke e shikuar krishtërimin si burim vlerash. Njëmbëdhjetë vjet më parë, pas rizgjimit që pasoi shembjen e Jugosllavisë në Ballkan, Kisha zgjodhi si parullë “Mbro jetën!”, duke pasur parasysh si jetën shpirtërore ashtu edhe jetën njerëzore. Sot, pohon imzot Uran – e kemi përqendruar vëmendjen tek familja, tek misioni i saj për krijimin e jetës, për vazhdimësinë e jetës. E jo më pak tek të rinjtë, që janë të thirrur të përgatiten për jetën, për jetën familjare. Rruga kryesore në të cilën duhet ecur, është ajo e ungjillëzimit të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.