2008-01-22 18:25:42

Dita e pestë e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve.


(22.01.2008 RV)Tema rreth së cilës u mbajt meditimi i sotëm, ishte: “Lutuni vazhdimisht me zemër të duruar: të jeni durimtarë me të gjithë!”.
Pikërisht durimi është një nga veçoritë kryesore të ekumenizmit. Ekumenizëm do të thotë të flasësh me të tjerët me gjuhën e fesë. Ekumenizëm quhet dëshira për ta dëgjuar tjetrin e për t’i folur me gjuhën e dashurisë së anasjelltë, në një dialog durimtar, që kthehet në bashkëpunim vëllazëror për lehtësimin e vuajtjeve të njeriut. Nuk është aspak i lehtë një dialog i tillë. Por Krishti mund të bëjë gjithçka. Ai bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin të pagojët, prandaj është në gjendje të ndikojë në zemrën e të krishterëve dëshirën e zjarrtë për ta dëgjuar me durim tjetrin, për të qenë durimtar kur komunikon me tjetrin. Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve na kujton kështu se ekumenizëm do të thotë përvojë e thellë dialogu, do të thotë të flasësh, të dëgjosh me durim e të njihesh më mirë me tjetrin; është detyrë që mund ta kryejnë të gjithë, posaçërisht përsa i përket ekumenizmit shpirtëror, të bazuar mbi lutjen dhe bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet të krishterëve.









All the contents on this site are copyrighted ©.