2008-01-22 13:50:42

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(22.01.2008 RV)RealAudioMP3 22 janar: Ndou që shkoi në shkretëtirë për të gjetur Zotin.
Ndou shikon për herë të fundit fshatin e tij. Megjithëse ka dëshirë të niset sa më parë, i dhemb zemra kur kundron shtëpitë, rrugët, njerëzit që e përshëndesin, në sa bëhet gati për t’u larguar, pa kthim. I njeh e e njohin të gjithë. Ka lindur njëzet vjet më parë në një nga këto shtëpi e ka jetuar gjithnjë aty. Derisa i vdiqën prindërit, duke i lënë trashëgim një pasuri të pamasë. Mund të jetojë qetësisht, pa trazira… s’ka asnjë arsye për t’u nisur, për t’u larguar, për të ikur…. Asnjë arsye? Jo, një farë arsyeje e ka. E shtyn dashuria. Një dashuri e flakët, që e djeg e e përvëlon përbrenda, si zjarri. Ndou është i dashuruar me Zotin. Ditë – natë e ka mendjen vetëm tek Krishti. Dëshiron t’ia dhurojë gjithë jetën. Veç kur jeton në katund, koha kalon pa kuptuar. Të dalin gjithfarë punësh. Dikush vjen e dikush shkon, dikush ka një nevojë, dikush një tjetër... Rrumuja e përditshme e njerëzve të pengon ta kalosh gjithë kohën vetëm me Zotin. Ndou është i bindur për këtë: ka nevojë për heshtje, që ta dëgjojë zërin e Zotit. Këtë zë mund ta dëgjojë, ashtu siç dëshiron, vetëm në se largohet në thellësi të shkretëtirës, atje ku nuk ka as njerëz, as kafshë, as zhurma… Asgjë që ta trazojë e t’ia rrëmbejë këtë kohë kaq të çmuar… Vetëm Hyji banon në ato hapësira pa fund rëre e gurësh, në atë botë të pazbuluar, që i kall frikë e tmerr njeriut. Por Ndou nuk ka frikë. Prandaj, pa e zgjatur fare, merr vendim të largohet përgjithmonë. Ia ndan të varfërve të gjitha pasuritë, përshëndet miqtë e dashamirët e niset drejt shkretëtirës. Jemi në gjysmën e vitit 270 kur Ndou fillon shtegtimin, që do të zgjasë gjithë jetën, në të cilën do të ketë një shok të vetëm: Zotin. Herë pas here takohet me shtegtarë që shkojnë për t’u lutur së bashku me të në shkretëtirë. Por nuk rrinë kurrë gjatë me të, ashtu siç do të bëjnë murgjërit disa vjet më pas, kur shkretëtira do të popullohet me vetmitarë. Secili jeton në kasollen e vet. Bashkohen vetëm për kremtimet e festave të mëdha. Jeta në shkretëtirë nuk është aspak e lehtë. Ditën bën një vapë që ta zë frymën, natën, një e ftohtë që të ngrin akull; për të mos kujtuar urinë e etjen. E edhe pse e ka zgjedhur vullnetarisht vetminë, ka çaste kur Shëna Ndou Abat e ndjen tmerrësisht mungesën e njerëzve. Pushtohet shpesh nga ankthi e rebelimi. Nganjëherë i duket sikur djalli vjen e i përshpërit në vesh fjalë të hatashme. Ia dëgjon frymën e qelbur, kur e nxit të ngrejë krye kundër Zotit, duke e ngacmuar: “Ndue, a s’e sheh se Zoti nuk të don? Pse nuk vjen të të ndihmojë, kur të pushton trishtimi? Sa budalla je treguar kur vendose t’ia dhurosh gjithë jetën. E kush? Shi ti, që ishte aq i pasur, aq i nderuar, aq i fuqishëm në katundin tënd”. Por për fat, Ndou del gjithnjë fitimtar nga këto beteja me djallin, që vijon ta tundojë në njëmijë mënyra, që i duket me njëmijë fytyra. Në heshtjen e shkretëtirës zëri i Zotit është shumë më i fuqishën se ai i kundërshtarit të tij. Mjafton t’ia vësh veshin e t’ia hapësh zemrën…







All the contents on this site are copyrighted ©.