2008-01-21 18:50:17

Vazhdon Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve me temën:“Lutuni vazhdimisht”.


(21.01.2008 RV)Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2008, arriti sot në ditën e katërt, me temë: “Lutni gjithnjë për drejtësinë: mos merrni hak kundër atyre që ju bëjnë të keqen, por kërkoni përherë t’u bëni mirë të afërmve e të gjithë njerëzve! (1 Sel. 5,15).
Ndërsa Tema biblike e gjithë Javës është: “Lutuni vazhdimisht” (1 Sel. 5,17).
Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI shpjegoi se Shën Pali ia drejton këtë porosi bashkësisë së Selanikasve, që zjente nga kundërshtimet e ndeshjet e brendshme, për t’i kërkuar me forcë të sillet ndryshe, e sidomos, të mos harrojë themeloren: lutjen e vazhdueshme. Me këtë ftesë, ai dëshiron të na bëjë të kuptojmë se jeta e re në Krishtin e në Shpirtin Shenjt krijon aftësinë për ta kapërcyer egoizmin, për të jetuar së bashku në paqe e në bashkim vëllazëror e për të mbartur secili me dëshirë, barrën e vuajtjeve të të tjerëve. - Nuk duhet të lodhemi kurrë së luturi për bashkimin e të krishterëve! – bëri thirrje Ati i Shenjtë - dhe vijoi të shpjegonte se kur Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, u lut që të tijtë “të jenë një gjë e vetme”, kishte ndër mend një piksynim të caktuar: ‘që bota të besojë!” (Gjn 17, 21). Misioni ungjillëzues i Kishës kalon nëpër rrugën ekumenike, rrugë e bashkmit në fe, e dëshmisë ungjillore dhe e vëllazërisë së vërtetë Ati i Shenjtë u kujtoi besimtarëve se, ashtu si çdo vit, të premten e ardhshme, më 25 janar, do të shkojë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve për të përfunduar, me Lutjet Mbrëmësore Solemne, Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Papa i ftoi romakët e shtegtarët të bashkohen me të e me të krishterët e kishave dhe bashkësive kishtare pjesëmarrëse në kremtim, që t’i luten së bashku Zotit për dhuratën e çmuar të pajtimit ndërmjet gjithë të pagëzuarve, që të arrihet në bashkimin e përkryer, sepse vetëm kështu mund të jepet dëshmia e fesë dhe e jetës, për të cilën bota ka kaq shumë nevojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.