Papa për Sinodin e tetorit: “Të gjithë kanë të drejtë ta takojnë Jezusin: Kisha ta
kumtojë me guxim Fjalën e Hyjit”.
(21.01.2008 RV)“Kisha ta kumtojë
me guxim e me bindje Fjalën e Hyjit, në mënyrë që të gjithëve t’u jepet mundësia ta
takojnë Fjalën e gjallë, që është Jezu Krishti”. Këtë theksoi Papa sot paradite në
takimin me anëtarët e Këshillit të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit
të Ipeshkvijve, të cilët u mblodhën për të përgatitur sinodin që do të mbahet më 5
deri më 26 tetor, me temë: “Fjala e Hyjit në jetën dhe në misionin e Kishës”. Benedikti
XVI shprehu besimin e tij për frytet e Sinodit kushtuar Fjalës së Hyjit, duke theksuar
përmasat komunitare të përvojës sinodale në dritën e enciklikës së tij “Spe salvi’: “Të
jesh në bashkim me Krishtin – kam shkruar – na bën të jemi për të gjithë, përbën
mënyrën tonë të jetës. Jezusi na impenjon për të tjerët, por vetëm në bashkim me Të,
bëhet e mundur të jemi vërtetë për të tjerët, sepse ekziston një lidhje e ngushtë
ndërmjet dashurisë së Hyjit e përgjegjësisë për njerëzit, që të krijon mundësitë të
mos biesh në individualizmin e shëlbimit e të shpresës”. Papa nënvizoi se detyrat
e mëdha të bashkësisë kishtare në botën e sotme, ndërmjet të cilave ungjillëzimi dhe
ekumenizmi – përqëndrohen tek Fjala e Hyjit e, njëkohësisht, përligjen e mbështeten
prej saj: “Ashtu si veprimtaria misionare e Kishës me punën e saj ungjillëzuese
gjen frymëzimin dhe qëllimin në dëftimin e mëshirshëm të Hyjit, edhe dialogu ekumenik
nuk mund të bazohet mbi fjalët e dijes njerëzore (cfr 1. Cor 2, 13)
ose mbi rrugëdalje të mprehta strategjike, por duhet të gjallërohet vetëm nga lidhja
e vijueshme me fjalën e zanafillës, që Hyji ia dorëzoi Kishës së vet”. Në këtë
fushë – shtoi Papa – doktrina e Shën Palit zbulon një forcë krejt të veçantë, të bazuar
mbi vetëdijen e pushtetit të vetëm shëlbues, atë të Shpirtit të Zotit: “Zotit,
të cilin në fillim e persekutoi e pastaj ia kushtoi gjithë vetveten, Pali i qëndroi
besnik deri në vdekje: uroj që shembulli i tij t’i inkurajojë të gjithë, që ta pranojnë
Fjalën e shëlbimit e ta realizojnë në jetën e përditshme, duke ecur besnikërisht pas
Krishtit”. Papa shprehu besimin e tij për frytet që do të sjellë sinodi i tetorit:
Etërit sinodalë, të ardhur nga të katër anët e botës, do të mblidhen në Vatikan,
duke vënë në qendër Fjalën e Hyjit: “Do të kenë, kështu, mundësinë të ballafaqohen
me njëri-tjetrin, por sidomos, të mblidhen në bashkim kolegjial për ta dëgjuar fjalën
e jetës, që Hyji ia ka besuar kujdesit plot dashuri të Kishës së vet, që ta kumtojë
me guxim e bindje, me atë guxim që i nxiti apostujt t’ua kumtojnë të vërtetën të afërmve
e të largtëve. Të gjithëve u duhet dhënë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, mundësia
ta takojnë Fjalën e gjallë që është Jezu Krishti”.