2008-01-21 13:26:49

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve: reflektim i Atë Lombardit


(20.01.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e tretë e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Pardje Papa, duke pritur delegacionin ekumenik të Finlandës, pohoi se është Shpirti Shenjt ai që i udhëheq dishepujt e Jezusit në rrugën drejt bashkimit të plotë dhe se lutja është ‘porta mbretërore e ekumenizmit’. Të dëgjojmë për këtë komentin e drejtorit tonë, Atë Federiko Lombardit:

“Lutuni vazhdimisht” – është tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Sivjet na kujton njëqindvjetorin e themelimit të tetëditshes së lutjes, që më pas u bë Javë e u kremtua për herë të parë më 18 deri më 25 janar të vitit 1908. Që asokohe lëvizja ekumenike ka bërë një rrugë të gjatë, por shpirti i saj mbetet gjithnjë lutja: e kjo, sepse bashkimi i të krishterëve nuk mund të jetë tjetër, veçse dhuratë e Hyjit, që duhet kërkuar vazhdimisht e me këmbëngulje.

Nga lutja buron forca për ta lënë veten në duart e Hyjit, që na pastron e na jep hirin t’i bindemi planit të Tij të shëlbimit. Lutja e ndryshon mendësinë dhe i ndihmon të krishterët t’i shikojnë të tjerët si vëllezër, bij të të njëjtit Atë. Lutja edukon e shoqëron, propozon e transmeton të vërtetën, dritën, jetën, dashurinë, dmth Krishtin, Shëlbuesin e njerëzimit.

Takimi ekumenik i janarit tashmë është bërë praktikë e përbashkët e të gjitha konfesioneve të krishtera dhe ka rëndësi të madhe për pajtimin, vëllazërimin e unitetin e të krishterëve, për realizimin e lutjes së Jezusit: “që të gjithë të jenë një”. Teksti frymëzues i këtij viti është marrë nga Letra e parë drejtuar Selanikasve (1 Sel. 5,17) dhe ripohon pikërisht rolin themelor të lutjes në bashkësinë e krishterë: “lutuni vazhdimisht”. Nënvizon se jeta e bashkësisë së krishterë është me të vërtetë e hareshme dhe e mbarë, vetëm përmes jetës së lutjes, që kontribuon për rritjen e saj shpitërore, morale, shoqërore e kulturore dhe ndërton ura dashurie, paqeje e shprese. Bashkimi i thellë e i vërtetë me Zotin është udha më e sigurtë për të rithemeluar e për të rikrijuar bashkimin e besimtarëve në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.