2008-01-21 18:50:39

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(21.01.2008 RV)RealAudioMP3 21 janar: Çipriani i Kartagjenës: na mëson të duam, të kuptojmë, të falim.
Salikimet përfunduan. Çipriani, ipeshkvi i Kartagjenës në Tunizi, i mbytur sepse nuk deshi t’i adhurojë hyjnitë romake, tani pushon në paqe. Të krishterët, të mbledhur rreth varrit të tij, mendojnë për guximin që tregoi Çipriani një ditë më parë, kur i lexuan vendimin e dënimit me vdekje. Një vashë i afrohet një burri që qan me zë.
“Vëlla, e njihje mirë ipeshkvin tonë?” – e pyet. – “Po” - përgjigjet burri me zë të mekur. E, për t’u qetësuar, nis të tregojë: “Më se tetë vjet më parë, në vitin 250, filloi një persekutim i madh…”.
Vasha e ndërpret: “Unë isha e vogël, por e kujtoj mirë. Perandori Deçio u kishte dhënë urdhër të gjithëve të merrnin pjesë në një flijim pagan. Të krishterët që nuk pranuan, u mbyten”.
E ndërsa ajo flet, burri pohon me lëvizje të kokës e pastaj vijon: “Unë kisha frikë nga vdekja… prandaj mora pjesë në flijim e bëra sikur po i adhuroja hyjnitë. Së bashku me disa të krishterë të tjerë, e mohova fenë: nuk bëja më pjesë në Kishë, ndryshe nga ata që pranonin të vdisnin për Jezusin. E të gjithë ishim tepër të trishtuar. Një nga të krishterët që pranoi të vdiste, para se ta vrisnin, tha: “Po e flijoj jetën time për femohuesit. Jezusi do ta pranojë flijimin tim e do t’i falë”. Ç’ngushëllim! Por Çipriani, nga vendi ku fshihej, na çoi fjalë për të na thënë se ishim ende femohues: vetëm ai mund të na e jepte ndjesën e Jezusit. Atë çast e urreva ipeshkvin. Thosha me vete: “E ka kollaj të flasë ai! Për vete është fshehur në fshat, prandaj nuk e ka të vështirë t’i gjykojë ata që dridhen para vdekjes”. Por dëshira ime për të hyrë rishtas në Kishën e Krishtit ishte aq e madhe, sa m’u desh të shkoja tek ai. Mbeta pa mend para ëmbëlsisë së tij: kuptova menjëherë se nuk ishte fshehur nga frika. Ipeshkvi duhet të mbetej gjallë, për të riorganizuar bashkësinë, sapo të merrte fund persekutimi. Çipriani më priti me krahë hapur e më tha: “Prit të mbarojë martirizimi e pastaj mund të deklarosh rishtas se je i krishterë”. A e shikon, vogëlushe, si shqetësohej për jetën time? Madje shtoi: “Nuk të çova fjalë për të të shqetësuar. Ti bëre një vepër të keqe, sado që në rrethana të vështira. Nuk është punë e bukur t’u thuash romakëve se nuk e do Jezusin. Hyji do të të falë, sigurisht, sepse na do e i kupton ligështitë tona. Por, në sa pret të hysh përsëri në Kishë, lutju, kërkoi të të falë.”Burri qesh mes lotëve: “A e shikon? Çipriani kishte të drejtë: kuptova se Zoti na ndjen, por në sa presim, zemra jonë duhet të përgatitet mirë për ta pritur faljen e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.