2008-01-20 16:45:21

Benedikti XVI: Fjala para e pas lutjes së Engjëllit të Tënzot (tekst i plotë)


(20.01.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra!
Dy ditë më parë filluam Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, gjatë së cilës katolikët, ortodoksët, anglikanët e protestantët, të vetëdijshëm se përçarjet ndërmjet tyre janë pengesë për pranimin e Ungjillit, i luten së bashku me gjithë zemër Zotit për dhuratën e bashkimit. Kjo nismë providenciale lindi njëqind vjet më parë, kur Atë Paul Uotson filloi “Tetëditshen” e Lutjes për bashkimin e të gjithë dishepujve të Krishtit. Prandaj sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, janë të pranishëm edhe bijtë e bijat shpirtërore të Atë Uotsonit, Vëllezërit e Motrat e Atonement të cilët i përshëndes përzemërsisht dhe i inkurajoj të vijojnë punën vetmohuese për çështjen e bashkimit. Të gjithë e kemi për detyrë të lutemi e të veprojmë për kapërcimin e ndarjeve ndërmjet të krishterëve, duke iu përgjigjur dëshirës së Krishtit “Ut unum sint” – që dishepujt e tij të jenë një gjë e vetme. Lutja, kthesa e zemrës, fuqizimi i lidhjeve të bashkimit, formojnë thelbin e kësaj lëvizjeje shpirtërore, e cila urojmë t’u prijë së shpejti dishepujve të Krishtit në kremtimin e përbashkët të Eukaristisë, shprehje e bashkimit të tyre të plotë.
Tema biblike e këtij vitit është plot kuptim: “Lutuni vazhdimisht” (1 Sel. 5,17). Shën Pali i drejtohet bashkësisë së Selanikasve, që zjente nga kundërshtimet e ndeshjet e brendshme, për t’i kërkuar me forcë të sillet ndryshe, e sidomos, të mos harrojë themeloren: lutjen e vazhdueshme. Me këtë ftesë, ai dëshiron të na bëjë të kuptojmë se jeta e re në Krishtin e në Shpirtin Shenjt krijon aftësinë për ta kapërcyer egoizmin, për të jetuar së bashku në paqe e në bashkim vëllazëror e për të mbartur secili me dëshirë, barrën e vuajtjeve të të tjerëve. Nuk duhet të lodhemi kurrë së luturi për bashkimin e të krishterëve! Kur Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, u lut që të tijtë “të jenë një gjë e vetme”, kishte ndër mend një piksynim të caktuar: ‘që bota të besojë!” (Gjn 17, 21). Misioni ungjillëzues i Kishës kalon nëpër rrugën ekumenike, rrugë e bashkmit në fe, e dëshmisë ungjillore dhe e vëllazërisë së vërtetë.
Ashtu si çdo vit, të premten e ardhshme, më 25 janar, do të shkoj në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve për të përfunduar, me Lutjet Mbrëmësore Solemne, Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve. I ftoj romakët e shtegtarët të bashkohen me mua e me të krishterët e kishave dhe bashkësive kishtare pjesëmarrëse në kremtim, që t’i lutemi së bashku Zotit për dhuratën e çmuar të pajtimit ndërmjet gjithë të pagëzuarve. Zoja e Bekuar, Nëna e Zotit, së cilës i përkujtojmë sot ditën kur iu duk Alfonsit të Regensburgut në Kishën e Shën Andreut të Shkurreve, nxjerrtë prej Zotit hirin e Shpirtit Shenjt për të gjithë dishepujt e Tij, që të arrijmë në bashkimin e përkryer e të japim kështu dëshminë e fesë e të jetës, për të cilën bota ka kaq shumë nevojë.

Pas Engjëllit të Tënzot:

 
Dëshiroj, sidomos, të përshëndes të rinjtë universitarë, profesorët dhe ju të gjithë, që keni ardhur sot kaq me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot e për të më shprehur solidaritetin tuaj. Ju falënderoj nga zemra, të dashur miq; falënderoj Kardinalin Vikar që u bë nismëtar i këtij çasti takimi. Siç e dini, e pata pranuar me kënaqësi ftesën plot mirësjellje që m’ u bë për të folur të enjten e kaluar në përurimin e vitit akademik të Universitetit Sapienca të Romës. E njoh mirë këtë Atené, e nderoj dhe i dua studentët që e ndjekin: çdo vit, në raste të ndryshme, ata vijnë të më takojnë në Vatikan, së bashku me kolegët e universiteteve të tjera. Për fat të keq, siç dihet, atmosfera që u krijua e bëri të papërshtatshme praninë time në ceremoni. E pezullova me keqardhje, por megjithatë dërgova tekstin që kisha përgatitur për këtë rast. Me ambientin universitar, që për shumë vjet ka qenë bota ime, më lidh dashuria për kërkimin e së vërtetës, për ballafaqim, për dialog të lirë, që respekton qëndrimet reciproke. Ky është edhe misioni i Kishës, në impenjimin e saj për të ndjekur besnikërisht Krishtin, Mësuesin e jetës, të vërtetësisë e të dashurisë. Si profesor, të themi, i dikurshëm, që ka takuar shumë studentë në jetën e tij, ju inkurajoj të gjithëve, të dashur universitarë, të respektoni gjithnjë mendimin e tjetrit e të kërkoni, me shpirt të lirë e përgjegjësi, të vërtetën e të mirën. Të gjithëve e secilit nga ju i shpreh përsëri mirënjohjen, duke e siguruar për dashurinë e lutjen time.







All the contents on this site are copyrighted ©.