365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(20.01.2008 RV) 20 janar:Feliçita e Perpetua,
skllavja e zonja, bashkë në jetë e në martirizim “Vogëlushja ime! Thesari im!
– pëshpërit një grua e re, duke përkëdhelur ëmbëlsisht këmbët e njoma të një vajze
topolake, që duket se ka lindur vetëm pak muaj më parë. “Fli, o bir i nënës, fli,
ti engjëlli im!” – këndon një nuse tjetër e re, në sa mëkon me gji foshnjën e sapolindur.
Burgu i Kartagjenës duket si repart materniteti. Bëlbëzime, nina-nana, gugatje, buzëqeshje,
fjalët më të ëmbla që mund të thotë goja njerëzore, që mund të dëgjojë veshi njerëzor.
Ndërmjet të burgosurve janë dy gra me fytyrat që u shkëlqejnë nga gëzimi, dy nëna
të reja; foshnjat e tyre të posalindura i mbushin me hare. Nuk lodhen kurrë s’i përkëdheluri
me sy krijesat e veta, së luajturi me to. Pastaj nisin e shkëmbejnë këshilla me njëra-tjetrën.
Sjellin në burgun e trishtuar, atmosferën e hareshme të jetës, ndonëse mbi to e mbi
kokat e gjithë të burgosurve peshon rëndë mendimi i ditës së nesërme, i arenës, i
martirizimit. Prandaj, kur zbret nata, Perpetua e Feliçita – kështu quhen dy nënat
e reja – bëjnë gjumë të trazuar. Rrotullohen, pa gjetur paqe, mbi kashtën e qelisë.
Më shumë zgjohen sesa flejnë. Ankthi rëndon si rrasa e varrit mbi kraharoret e tyre,
ku nata gatuan qumështin e ditës së re për foshnjat. Kur zgjohen, dridhen nga frika.
Mendojnë për fatin që i pret e tmerrohen. Këto çaste dëshpërimi pafund i bashkojnë
edhe më tepër dy gratë e reja. Luten së bashku, që të kenë guximin për ta përballuar
këtë provë. Por ç’provë i pret? Perpetua e Feliçita nuk janë burgosur sepse
kanë bërë ndonjë faj, por vetëm sepse janë të krishtera. Tani, në kohën kur sundon
Septim Severi, fati i të krishterëve nuk është aspak për t’u lakmuar: kapen, burgosen,
torturohen e mbyten mizorisht në lojrat e cirkut. Perpetua e Feliçita presin pikërisht
ditën e fundit, ditën e cirkut… Perpetua është bijë e një familjeje nga paria e
qytetit të Kartagjenës. I jati ka bërë të pamundurën që ta shpëtojë, por ajo, e vendosur
për ta mbrojtur besnikërisht deri në fund fenë e saj, nuk ka pranuar të shesë shpirtin,
për të fituar atë, që shumkush e quan liri. Ndërsa Feliçita është skllave, prandaj
askush nuk është kujdesur që ta shpëtojë nga burgu e nga cirku. Është skllavja e Perpetuas…
para syve të botës, por para syve të Zotit, të dyja gratë tashmë janë bërë motra.
Jetuan së bashku, së bashku gëzuan ato pak çaste të kaluara me foshnjat tyre, u lutën
së bashku. E së bashku edhe do të vdesin. Ditën kur nisin lojrat në cirk, të dyja
hyjnë në arenë dorë- për- dorë për të përballuar vdekjen në emër të Krishtit…Disa
vjet më vonë kartagjenasit shikojnë dy fëmijë që shkojnë për t’u lutur para dy varreve
të njëllojta. Mbi rrasën e të parit shkruhet emri: ‘Feliçita’, mbi rrasën e të dytit,
emri ‘Perpetua’. E po t’i lexosh njëri pas tjetrit: ‘Felicita Perpetua”, krijohet
refreni latin, që do të thotë ‘lumni e pasosur!”.