2008-01-19 14:32:03

U zgjodh eprori i ri i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit: është Atë Adolf Nikolás, 71 vjeç, spanjoll, ish-moderator i Konferencës Jezuite të Azisë Lindore dhe të Oqeanisë.


(19.01.2008 RV)Eprori i ri u zgjodh sot paradite nga Kongregacioni i 35-të i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit. Numri i zgjedhësve të mbledhur në Romë, ishte 217, ndërsa për zgjedhjen kërkohej një shumicë prej 109 votash.
Emri i Eprorit të ri iu komunikua menjëherë Papës. Atë Nokolás zë vendin e Atë Peter Hans Kolvenbah, si i 29-ti pasardhës i Shën Injacit të Lojolës, themelues i Shoqërisë së Jezuitëve, e cila sot numron 19 mijë anëtarë dhe i shërben Kishës në gjirin e 112 kombeve, në pesë kontinente.
I lindur më 29 prill të vitit 1936 në Palencia të Spanjës, hyri në noviciatin e Aranjuez të Provinçës Toletane në vitin 1953. Pasi kreu studimet filozofike në Spanjë, nga vitit 1964 deri në vitin 1968 studioi teologji në Tokio. U shugurua meshtar pikërisht në kryeqyetin e Japonisë, më 16 mars 1967. Studimet teologjike i thelloi më tej në Universitetin Papnor Gregorian. Si i kreu, nisi të japë mësimin Teologjisë sistematike në Sophia University të Tokios.
Nga viti 2004 deri më 2007 qe moderator i Konferencës Jezuite të Azisë Lindore e të Oqeanisë.
Atë Nikolás flet pesë gjuhë: gjuhën spanjolle, japoneze, angleze, franceze e italiane.Nesër Etërit e Kongregacionit do të kremtojnë Meshën e falënderimit në kishën romake të Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.