2008-01-18 17:36:14

Letër e Papës drejtuar eprorit të jezuitëve, Atë Kolvenbah, me rastin e Kongregacionit të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit.


(18.01.2007 RV)RealAudioMP3 Disa ditë para se të japë dorëheqjen nga detyra e Eprorit të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezuitëve, Atë Peter Hans Kolvenbah mori një letër personale nga Papa. Atë Kolvenbah - njofton përmes një komunikate Shoqëria e Jezusit - e lexoi letrën me anëtarët e Kongregacionit të përgjithshëm dhe me gjithë Shoqërinë dhe e njoftoi Benediktin e XVI për vëmendjen e mirënjohjen e thellë, me të cilën u prit mesazhi i tij. Duke folur me jezuitët, Atë Kolvenbah theksoi ‘dashurinë e afërsinë shpirtërore, nderimin e mirënjohjen me të cilën pasardhësit e Shën Pjetrit e kanë shikuar dhe e shikojnë Shoqërinë e Jezusit, duke vijuar të presin një shërbim besnik për kumtimin e plotë e pa mëdyshje të Ungjillit në kohën tonë’.
Në gjurmët e paraardhësve, Benedikti XVI, në letrën e tij, kujton lidhjen e posaçme ndërmjet Shoqërisë së Jezusit dhe Pasardhësit të Shën Pjetrit, lidhje që gjen shprehjen e vet në kushtin e katërt, i cili kërkon bindje të plotë ndaj Papës, siç përcaktohet në “Formulën” themeluese të Shën Injacit. Sipas kësaj Formule, jezuiti është : “Ushtar i Hyjit nën flamurin e Kryqit, që i shërben vetëm Zotit e nuses së tij, Kishës, nën urdhërat e Papës së Romës, Vikarit të Krishtit mbi tokë”. Kisha vijon të ketë nevojë edhe sot për këtë besnikëri, që përbën shenjën dalluese të urdhërit, në një epokë në të cilën ndjehet fuqimisht nevoja për t’ua trasmetuar plotësisht bashkëkohasve, të hutuar nga zëra që nuk përkojnë njëri me tjetrin, mesazhin e vetëm e të pandryshueshëm të shëlbimit, që është Ungjilli, ‘jo si fjalë e njerëzve, por siç është në të vërtetë, si Fjala e Hyjit, e cila vepron mbi ata që besojnë.
“Veprimtaria ungjillëzuese e Kishës ka besim të madh tek roli formues i Shoqërisë së Jezusit në fushën e teologjisë, të përshpirtërisë e të misionit”, vijon Papa, i cili i kërkon Kongregacionit të përgjithshëm të ripohojë, me frymën e Shën Injacit, pranimin e plotë të doktrinës katolike, posaçërisht në pikat nevralgjike, që sulmohen fuqimisht nga kultura shekullare, siç janë, për shembull, lidhja ndërmjet Krishtit e feve, disa aspekte të teologjisë së çlirimit si dhe pika të ndryshme të moralit seksual, posaçërisht ato që i përkasin martesës dhe veprimtarisë baritore me personat homoseksualë.
“Sekreti i suksesit të vërtetë në veprimtarinë apostolike e misionare të çdo të krishteri, e aq më shumë në veprimtarinë e atyre që janë të thirrur t’i shërbejnë drejtpërdrejtë Ungjillit – shkruan Papa – hamendëson bashkimin e thellë me Atë që na thërret të jemi miqtë e nxënësit e Tij, unitetin ndërmjet jetës e veprimtarisë, që ushqehet me dëgjimin e Fjalës së Tij, me kundrimin e me lutjen, me shkëputjen nga mendësia e botës e me kthesën e vazhdueshme në rrugën e dashurisë së Tij, sepse është Ai, Krishti, që jeton e vepron në secilin prej nesh. Në letrën e tij, Benedikti XVI uron që Kongregacioni aktual ta ripohojë qartë karizmën e Themeluesit, për t’u dhënë kështu zemër të gjithë jezuitëve të pohojnë pa mëdyshje e pa ngurrime, besnikërinë plot dashuri ndaj karizmës së Shën Injacit, si burim i sigurtë për përtëritjen e saj. Duke kujtuar fjalët e paraardhësit të tij, Palit VI, Papa i fton jezuitët të mos e tjetërsojnë e të mos e shpërfytyrojnë identitetin kryesor të figurës së jezuitit, por ta ruajnë ashtu si përshkruhet në ‘Formula Instituti’.Shoqëria e Jezusit – pohon Atë Kolvenbahu në letrën e përgjigjes që i jep Papës, shpreh vullnetin për t’iu përgjigjur sinqerisht ftesave dhe kërkesave të Atit të Shenjtë. Kongregacioni i përgjithshëm do t’u kushtojë këtyre ftesave e kërkesave gjithë vëmendjen e duhur gjatë punimeve të tij, një pjesë e mirë e të të cilave do t’u kushtohet pikërisht temave të identitetit e të misionit të jezuitëve si dhe të bindjes rregulltare e apostolike e, në mënyrë të posaçme, bindjes së plotë ndaj Papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.