2008-01-18 13:17:50

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(17.01.2008 RV)17 janar: Polikarpi, ipeshkëv në arenë.
“Eshtë e vërtetë se Polikarpit nuk iu drodh qerpiku ku i lëshuan luanët? Se nuk pati frikë fare kur e vunë mbi turrë të druve e i kallën flakën? Eshtë e vërtetë, vallë, se luanët s’e prekën fare, ndërsa flakët u larguan nga trupi i tij i lidhur mbi turrën e druve? Tregojnë edhe se kur ai që ishte i ngarkuar t’u jepte goditjen e fundit të plagosurve, më duket se quhet konfektor – i nguli një thikë në zemër, gjaku i tij u derdh mbi turrën e druve, derisa zjarri u shua fare. E vërtetë edhe kjo?
Që kur Polikarpi, ipeshkëv i Smirnës, qytet i Turqisë, vdiq, të krishterët s’pushojnë së treguari për këtë martir, histori nga më të çuditshmet, që shumkujt i duken të pabesueshme.
Sigurisht luanët nuk do ta kenë shqyer, thjeshtë sepse atë ditë nuk kishin uri, ose ishin tepër të lodhur... E në se zjarri nuk e dogji trupin e tij, do të thotë se atë çast fru erë e marrë e ia largoi flakën nga trupi. Por ajo që të çudit më tepër, nuk janë këto rrëfime. Eshtë fakti se ky njeri, ndonëse shumë i moshuar e i ligësht, besonte aq fort në Jezusin, sa nuk pati frikë fare të përballonte vdekjen më mizore.
E pra, po të donte, mund të shpëtonte menjëherë. Gjatë procesit gjyqësor, zhvilluar në arenën, ku zakonisht organizoheshin garat me koçi, qeveritari i qytetit, Kuadrati, i bëri një propozim shumë të leverdisshëm: “Betohu ‘Pasha jetën e Qesarit’ e do të shpëtosh!”.
Polikarpi jo vetëm që nuk pranoi, por shpalli plot zell e guxim para gjithë popullit: “Unë jam i krishterë: në se dëshiron të ta mësoj doktrinën e krishterimit, më jep vetëm një ditë kohë...”.
Kuadrati, pa folur fare, dha urdhër të liroheshin luanët. Si prokonsull që ishte, duhet t’i detyronte të gjithë ta respektonin fenë e perandorisë romake, atë fe në të cilën besonte eprori i tij, Antonini: ‘Perandori duhet adhuruar si të ishte zot’, gjë që ndjekësit e Jezusit nuk donin ta bënin, edhe kur u duhej ta paguanin me gjak. Ipeshkvi Polikarp nuk dëshironte të martirizohej. Për të shpëtuar nga kjo arenë, ai qe fshehur në një shtëpi në rrethinat e Smirnës. Por një skllav, pas torturave mizore, tregoi ku fshihej. Atëherë ia behën ushtarët, që e mbërthyen me zinxhirë, sepse ai, pa kurrfarë ngurrimi, e dëshmoi fenë në Krishtin përpara të gjithë qytetarëve.
Që në atë kohë të krishterët e Smirnës vijojnë të luten me fjalët e Polikarpit para se të vdiste:“O Zot, Hyj i gjithëpushtetshëm, Atë i Jezu Krishtit, Birit tënd të vetëm, Hyj i gjithësisë e i njerëzve të drejtë, që jetojnë në praninë tënde, të nderoj me gjithë zemër, sepse më quajte të denjë për të vdekur si Biri yt. Zot i madh e i vërtetë, të lumnoj për të gjitha sendet, të bekoj e të lavdëroj përgjithmonë e jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.