2008-01-16 16:05:24

“Një disfatë e madhe për kulturën”: kështu e quan imzot Ravazi anulimin e vizitës së Papës në ‘La Sapienca’.


(16.01.2008 RV) RealAudioMP3 ‘Një faqe e zezë në historinë e kulturës”: kështu shprehet imzot Gjanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, për ngjarjet që çuan në anulimin e vizitës së Papës në Universitetin romak ‘La Sapienca’. Prelati, duke folur për fitoren e ‘fanatizmit kulturor’ të një pakice, shpreh besimin se shumica do të kërkojë me ngulm rrugën e ballafaqimit e të dialogut. Por, ta dëgjojmë vetë imzot Ravazin, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Kjo ngjarje meriton, sigurisht, edhe një gjykim në këndvështrimin ngushtësisht kulturor, duke lënë mënjanë figurën me të cilën lidhet, figurën e Atit të Shenjtë, figurë e madhe fetare. Sipas meje, kjo ngjarje duhet shikuar si disfatë e kulturës. Kultura, për vetë natyrën e saj, ngrihet mbi bazën e takimit, që në një çast të caktuar mund të ketë edhe mospërkime, mendime të ndryshme, por që nuk mund të quhet kurrë kulturor, kur shpërthen e bëhet thjeshtë mohim, thjeshtë refuzim, dhe ia mbyll rrugën çdo mundësie për dialog. Në këtë rast, nga njëra anë kemi të bëjmë me fondamentalizëm kulturor, që u manifestua me këtë mohim të parimit të dëgjimit e të takimit, ndërsa nga ana tjetër mendoj se është vërtetë mendjeshkurtësi që bota e kulturës të mos e pranojë edhe fjalën e fesë, fjalën e teologjisë, fjalën shpirtërore që kushtëzoi e pasuroi për shekuj historinë perëndimore, por edhe historinë universale, e të mos ketë aspak dëshirë ta përfshijë brenda horizontit të saj, duke e shikuar si diçka krejt të huaj. Në këtë dritë do të thosha se këto dy përmasa: nga njëra anë paafatësia për të dëgjuar e për t’u takuar, dmth mospranimi; nga ana tjetër refuzim i fenomenit fetar dhe fenomenit shpirtëror si pjesë e rëndësishme përbërëse e kulturës, bënë që kjo ngjarje të jetë sot një faqe e zezë jo aq për çështjen e marrëdhënieve me fenë, por një faqe e zezë për vetë historinë e kulturës.

Pyetje: - Ç’parashikoni për të ardhmen, pas kësaj që ngjau?

Përgjigje: - Kjo është pa dyshim një plagë që u hap, posaçërisht për ata që e dëshirojnë ballafaqimin, që e duan dialogun serioz, që duan të dëgjojnë edhe zëra të ndryshme, të cilat dinë të hyjnë në një ballafaqim të drejtpërdrejtë, të menjëhershëm e të larmishëm. Gjithë kjo ka mundësi të mbetet si një peshë, si një shkëmb në mes të rrugës. Do të na duhet të rikthehemi në fillim, duke pasur parasysh një fakt që nuk është nënvizuar aq sa duhet: ky refuzim ka damkën e pakicës. Një pakicë – e sigurisht kjo është përsëritur shumë herë – profesorësh, por edhe njerëzish që përfitojnë nga universiteti, sepse ky grup studentësh, i rritur artificialisht edhe me prani nga jashtë, nuk përfaqëson edhe studentët e pedagogët, që nuk janë besimtarë, por që dëshirojnë gjithnjë të shikojnë përtej gardhit të tyre, ta njohin më gjërë botën. Duhet theksuar se sot prodhimi editorial fetar është më i madh se asnjëherë. Kjo do të thotë se dikush dëshiron të ballafaqohet, të dialogojë. Është kjo, sigurisht, e ardhmja në të cilën duhet të shpresojmë, pas kësaj etape plot re e mjegull.







All the contents on this site are copyrighted ©.