(16.01.2008 RV)Polemikat mbi vizitën
e Papës në ‘La Sapienca’ kanë hapur edhe një herë diskutimin mbi marrëdhëniet e shkencës
me fenë si dhe mbi disa fraza të Atit të Shenjtë mbi Galileon. Por ç’mendon në të
vërtetë, Benedikti XVI për Galileon? Ta dëgjojmë vetë Papën: “Galileo i madh
ka thënë se Hyji e shkroi librin e natyrës me gjuhën e matematikës. Ai ishte i bindur
se Hyji na dhuroi dy libra: atë të Shkrimit Shenjt e atë të natyrës. E gjuha e natyrës
– kjo ishte bindja e tij – është matematika, prandaj ajo është gjuha e Hyjit, e Krijuesit”. Këto
janë fjalët që shqiptoi Papa më 6 prill 2006, duke u takuar me të rinjtë në Sheshin
e Shën Pjetrit, në përgatitje të Ditës Botërore të Rinisë. Benedikti XVI flet për
këtë shkencëtar të madh katolik, që jetoi ndërmjet 1500-tës e 1600-tës, për t’u treguar
të rinjve harmoninë ndërmjet shkencës e fesë. Pohon se matematika… është një shpikje
e madhe e gjeniale e shpirtit njerëzor, se është kyçi për kuptimin e natyrës, e cila
është e strukturuar në mënyrë matematike. Prandaj matematika dhe struktura e universit
- shton Papa – përkojnë; e kjo na tregon strukturën e arsyeshme të universit”. “Tani
ekzistojnë edhe teoritë e kaosit, por janë të kufizuara, sepse po të merrte epërsi
kaosi, e gjithë teknika do të bëhej e pamundur. Teknika është e besueshme, vetëm sepse
është e besueshme matematika. Shkenca jonë, e cila më në fund krijon mundësitë për
të punuar me energjitë e natyrës, supozon strukturën e besueshme, të arsyeshme të
materies”. Pas përkimit mahnitës të këtyre dy arsyeve, asaj të shkencës e asaj
të strukturës së universit – vijon Papa - duket arsyeja e vetme “më e lartë se të
dyja”, duket plani i Krijimit. E në këtë pikë – pohon – ka vetëm dy mundësi: “Hyji
ose është ose nuk është”: ”Ose pranohet epërsia e arsyes, e Arsyes krijuese,
që është në fillesë të të gjitha sendeve e është zanafilla e të gjithave – përparësia
e arsyes është edhe përparësi e lirisë – ose pranohet epërsia e irracionales, sipas
së cilës gjithçka funksionon mbi tokën tonë e në jetën tonë, s’është tjetër, veçse
fryt i rastësisë, diçka e dorës së dytë, prodhim irracional - e edhe vetë arsyeja
qenkej një prodhim i irracinalitetit. Tani nuk mund ta provosh njërin apo tjetrin
projekt, por opcioni i madh i krishterimit është për racionalitetin, për epërsinë
e arsyes. Ky më duket opcioni më i mirë, që dëshmon se pas të gjithave, ekziston një
Arsye e madhe, së cilës mund t’i besojmë”. Papa e përfundon kështu fjalimin
e tij kushtuar Galileos: “Në se shikojmë opcionet e mëdha, opcioni i krishterë
është edhe sot e kësaj dite më i arsyeshmi e më njerëzori. Prandaj mund të hartojmë
me besim një filozofi, një vizion të botës, të bazuar mbi përparësinë e arsyes, mbi
besimin se Arsyeja krijuese është dashuri e se kjo dashuri është Hyji”.