2008-01-16 18:13:50

GJERGJ KASTRIOT SKËNDËRBEU -Në 540 vjetorin e vdekjes-


TIRANË, 15 Janar 2008/ATSH/- Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 - 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV - fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira, të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë së rrezikut osman mund t'i bëhej ballë vetëm më sukses, vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve europiane në luftë kundër armikut të përbashkët.
Epopeja e Skënderbeut e shk. XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Në fillim të shek të XVI (1504) Marin Barleti botoi latinisht veprën kushtuar luftës heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës). Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut", të cilën e botoi latinisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV.
Periudha e Skënderbeut u përjetesua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frengu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut. më disa ndryshime të vogla ajo ndjek rrethimin e historisë së Skënderbeut të M. Barletit, që dëshmon së kjo vepër kishte pasqyruar drejt realitetin historik, të njohur e të panjohur edhe nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut. Vepra e Dh. Frengut u botua pas vdekjes së tij e përkthyer italisht, dhe njohu shumë ribotime në këtë gjuhe.
Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptare të shek. XV është "Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve", shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një "margaritar".
Por vlen për tu përmëndur ne këtë plejadë autorësh që kanë shkruar për Skëndërbeun dhe romantiku i njohur arbëresh Jeronin De Rada për hartimin e veprës së tij "Skënderbeu i pafan"(1873), rrugën e të cilit do ta ndjek më vonë edhe Naim Frashëri me veprën e tij "Istori e Skënderbeut"(1898) me vargjet karakteristike:

Kruj' o qytet i bekuar!
prite, prite Skënderbenë
po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë

Vargu i poetëve që iu kthyen epokës së Skënderbeut nuk përfundon këtu. Ai ka vazhduar me gjeneratat në vazhdim, duke u bërë burim i të gjithë krijuesve, e veçmas atyre që shkruajnë poezi. Për veprën e tij madhore shkruan edhe shumë shkrimtarë të huaj në mesin e të cilëve përmendet edhe një poemë e shkruar në gjuhën islandishte, duke e ngritur figurën dhe epokën e tij në piedestalin e një personaliteti në historinë e njerëzimit. Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët dhe në këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore, duke i dhënë atij tiparet e një figure legjendare.

540 VJETORI I VDEKJES SË SKËNDERBEUT:
EKSPOZITË NË GALERINË KOMBËTARE TË ARTEVE
TIRANË, 16 Janar 2008/ATSH/.- Të paktën 22 vepra në pikturë (vaj) dhe 5 portrete në skulpturë (dru, bronz), kushtuar heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut , pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve do të prezantohen të enjten në mbrëmje,(17 janar) në ekspozitën "Skënderbeu në Artet Pamore" që do të çelet ne Sallën e Rilindjes të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Aktiviteti i organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galeria Kombëtare e Arteve mbahet në kuadër të 540 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Ndër veprat e para që kanë paraqitur figurën e Heroit, dhe që do të prezantohen në ekspozitën "Skënderbeu në Artet Pamore", janë veprat e Anastas Ballamçi "Portret i Skënderbeut" (1889) dhe skulptura në bronz e Murat Toptanit (1917), një portret i Skënderbeut që ekziston në dy kopje, një në GKA dhe tjetra në Muzeun "Gjergj Kastriot Skënderbeu" në Krujë.
Po kështu do të prezantohen veprat e Spiro Xegës "Skënderbeu", Sali Shijakut "Artilieria e Skënderbeut", Vilson Kilicës "Skënderbeu thyen turqit", Nestor Jonusit " Kështjella", Guri Madhit "Turqit dorëzojnë armët", Nexhmedin Zajmit "Skënderbeu", një vepër e Ibrahim Kodrës për Skënderbeun etj. Kurator i ekspozitës është Shefi i Sektorit të Studimit pranë GKA, Ylli Drishti.
Në fakt artistët shqiptarë, që në periudhën e Rilindjes e kanë pasqyruar figurën e Skënderbeut në punimet e tyre. Fillimisht kjo figurë është paraqitur në portret dhe më tej në kompozime. Ndër kompozimet e para kanë qenë ato të Spiro Xegës, Zef Kolombit, Simon Rrotës, etj, kompozime ku ai paraqitet në momente luftimi.
Ekspozita e parë kushtuar figurës historike të Gjergj Kastriot Skënderbeut, është hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së tij. Gjithashtu interesimi për këtë figurë kombëtare është shprehur edhe në forma të tjera si konkursi i organizuar nga Galeria e Arteve të Prishtinës me titullin "Skënderbeu Strateg dhe Diplomat", ku morën pjesë shumë artistë nga të gjitha trevat shqiptare dhe ku fitues u shpall artisti Alush Shima me "Portret të Skënderbeut", realizuar në 1967.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 - 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV - fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.