2008-01-16 16:11:46

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(16.01.2008 RV)RealAudioMP3 16 Janar: Injaci, që e predikoi Ungjillin i lidhur këmbë e duar me zinxhirë.
Një karvan njerëzish të burgosur zvarriset duke lënë gjurmë të thella mbi pluhurin e udhës. Vijojnë të ecin prej javësh. Janë të lodhur e të këputur. Të arrestuar në Antioki të Turqisë, çohen, rrethuar me roje, në Romë, ku do të flaken në gojën e luanëve, gjatë dëfrimeve që pritet të organizohen së shpejti në një cirk. Ç’ kanë bërë vallë, që të meritojnë një dënim kaq mizor? S’kanë bërë gjë prej gjëje. Zvarrisen me këmbë e duar rënduar në zinxhirë vetëm e vetëm sepse janë të krishterë. Perandori Trajan është i bindur se të krishterët janë armiku i tij numër një. Ata nuk besojnë në perenditë romake, e për më tepër, nuk duan të pranojnë se edhe ai vetë është zot. Thonë se paska një Zot të vetëm. Për këtë arsye, gjashtëdhjetë vjet pas vdekjes së Jezusit, ndjekësit e tij dënohen me vdekje e mbyten, si të ishin keqëbërësit më të rrezikshëm të perandorisë. E është pikërisht kjo edhe arsyeja për të cilën këta njerëz gjysëm të vdekur, vijojnë të hiqen zvarrë drejt Romës. Nuk guxuan t’i mbytin në Atioki, ku të gjithë i duan e i respektojnë: vdekja e tyre do të shkaktonte rebelimin e gjithë popullatës. Njëri nga të dënuarit i lë rojet me gojë hapur nga çudia: që kur janë nisur nga Antiokia, nuk ka pushuar së foluri. As lodhja, as etja, as uria nuk kanë mundur t’ia mbyllin qoftë edhe për një çast gojën.
“Kush është ky njeri fenomenal? – pyet një ushtar që ka ardhur të ndërrojë shokun. - Është kryetari i të krishterëve të Antiokisë – i shpjegojnë rojet. Madje është ipeshkvi i tyre. E quajnë Injac. Që kur jemi nisur nga Antiokia, s’e kemi lënë të qetë asnjë minut: gjithë ajo rrugë, s’i thonë shaka! Po ai vijon të flasë pa pushim. Më të lodhur e ndjejmë veten ne, që jemi mbi kalë, se ky, që vrapon pas nesh në këmbë.
Pikërisht kështu. Injaci vijon të flasë, të flasë, të flasë. E di se i mbetet shumë pak kohë për të jetuar. Prandaj nuk e ka ndër mend të heshtë: do të ketë kohë për të pushuar në qiell, ku do të shkojë së shpejti. Injaci përfiton nga ky shtegtim i mundimshëm e u flet të gjithë atyre që takon për Jezu Krishtin. U kumton të gjithëve lajmin e pabesueshëm: “Hyji i do njerëzit deri në atë masë, sa ka ardhur vetë t’i shpëtojë”. E kur nuk flet, u shkruan letra të krishterëve të qyteteve nëpër të cilat kalon, për t’u dhënë zemër. Injaci vijon të flasë për Hyjin deri në fund të kësaj udhe të gjatë e të vështirë. Udha përfundon në cirk, ku e presin luanët. E edhe atje, ai gjen ende forcë për të shpërthyer, duke krijuar një nga figurat më të famshme në historinë e Martirëve: “Më lini të jem ushqim për bishat, të cilat do të më bëjnë të shijoj Hyjin. Jam grurë i Hyjit. Duhet të bluhem nga dhëmbët e egërsirave, që të bëhem bukë e Krishtit”.
Injaci, ashtu si të krishterët e çdo epoke, shpreson e dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër të shikojë, pas vdekjes, fytyrën e Hyjit, për të cilin ka folur aq shumë, për të cilin është aty, në gojën e luanëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.