2008-01-15 17:57:58

Takime ndërkombëtare për Kosovën, ndërsa Serbia duhet të zgjedhë presidentin


(15.01.2008 RV)Ndërsa bota ndërkombëtare pritet të diskutojë për Kosovën, në Serbi vlon fushata elektorale për zgjedhjen e presidentit.
Nesër duhet të mbahet në Nju Jork mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ndërsa Sllovenia pret të shtunën vendet evropiane të Grupit të Kontaktit, e pikërisht ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Çështja e misionit evropian në Prishtinë do të diskutohet edhe në këshillin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, që do të mbahet më 27 dhe 28 janar në Bruksel, por asnjë vendim nuk do të merret para datës 3 shkurt, kur përfundon edhe turni i dytë i zgjedhjeve në Serbi.
Fushata e dy kandidatëve, presidentit aktual, europeistit Boris Tadiç dhe liderit ultranacionalist Tomislav Nikoliç është bërë tejet e ashpër. Tadiç i fton votuesit të shohin drejt Evropës dhe strukturave të Brukselit, ndërsa Nikoliç përgjigjet se Evropa që do t’i japë pavarësinë Kosovës nuk ka ç’i duhet Serbisë. Nëse Nikoliç zgjidhet president do të anullojë çdo lloj marrëveshje Asociim-Stabilizimi me Brukselin. E bukura është se të dy kandidatët kanë këshilltarë amerikanë, që i shoqërojnë gjatë krejt procesit zgjedhor.







All the contents on this site are copyrighted ©.