2008-01-15 18:38:49

Opinione mbi pezullimin e vizitës së Papës në Universitetin "La Sapienca"


(15.01.2008 RV)Pezullimi i vizitës së Atit të Shenjtë në Universitetin “La Sapienca” u shoqërua me komente nga spektri politik italian e nga njerëz të kulturës e të shkencës. Ja më domethënëset:
Kryeministri italian Romano Prodi: “Dënoj gjestet, deklaratat dhe sjelljet që shkaktuan tensionin e papranueshëm dhe klimën, që nuk i bën nder traditave të qytetërimit dhe të tolerancës në Itali”. Prodi i ka rinovuar edhe një herë ftesën Atit të Shenjtë. Me të, të gjitha autoritetet shtetërore kanë shprehur keqardhjen për pezullimin e vizitës dhe për mënyrën se si janë zhvilluar protestat në universitet.
Rektori i Universitetit, Guarini: “Takimi me Papën do të kishte përfaqësuar një moment të rëndësishëm reflektimi për besimtarë e jo besimtarë mbi probleme etike e civile, si impenjimi për zhdukjen e dënimit me vdekje, që janë linfa jetësore e punës sonë didaktike e shkencore”. Rektori do të shpërndajë fjalimin e Benediktit XVI në ceremoninë e së enjtes.
Imunologu Fernando Aiuti, profesor në “La Sapienca”: “Si laik kam kundërshtuar, edhe ashpër, qëndrimet e Kishës mbi Sidën, prezervativin dhe lindjen e asistuar, por Radio Vatikani, megjithëse e njihte qëndrimin tim, nuk më ka evituar kurrë. Nuk jam dakord me protestat, sepse e drejta e fjalës u duhet dhënë të gjithëve, dhe 67 pedagogë ndër 4500 janë një pakicë e vogël”.
Një deputete e djathtë: “Pezullimi i vizitës së Atitt të Shenjtë bën të fitojë ai mendim despotik, që na detyron ta qajmë me lot Volterin, i cili thoshte: “mund të jemi edhe kundër ideve të dikujt, por nuk mund të pengojmë askënd që t’i manifestojë ato”.
Të rinjtë e djathtë i propozojnë rektorit të Universitetit “La Sapienca” t’u dhurojë 67 pseudo-pedagogëve dhe studentëve manifestues, veprat e teologut dhe filozofit Jozef Racinger. “Kushedi – shkruajnë – ndoshta një ushtrim i tillë leximi do t’u kujtojë ç’do të thotë laicitet bazuar mbi ushtrimin e lirisë, duke shmangur në të ardhmen turpe të tilla për vete dhe për Italinë”
Pedagogë universitarë të shkencave politike kanë paralajmëruar se do të japin dorëheqje nëse fakulteti ku japin mësim nuk mban qëndrim kundër studentëve dhe pedagogëve protestues.








All the contents on this site are copyrighted ©.