2008-01-15 17:37:14

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(15.01.2008 RV)RealAudioMP3 15 janar: Një Papë që flet troç
Prap këta? Papa Klementi tmerrohet. Para tij është një njeri i ardhur nga Korinti! Papa ka arsye të plotë të psherëtijë. Nuk është hera e parë që në Korint fillojnë grindje të cilave s’u duket fundi. Kanë kaluar dyzet vjet, që kur Shën Pali themeloi në këtë qytet një bashkësi të krishterë, besimtarët e së cilës ngatërrohen paksi tepër shpesh ndërmjet tyre. Me sa duket nuk e kanë kuptuar fare urdhërimin e Jezusit: “Duajeni njëri-tjetrin!”.
Po kësaj radhe e kanë kaluar çdo cak. Një grup i vogël të krishterësh rebelë ka dëbuar kryetarët e bashkësisë, për të cilët s’ke ç’të thuash. E tani çrregullimi mbretëron deri në atë shkallë, sa të krishterët nuk e dinë më kë duhet të ndjekin, Madje disa prej tyre mendojnë se nuk ia vlen fare të shkosh në një Kishë të tillë, që më shumë ta shkandullon, sesa ta shëron shpirtin. Klementi nuk humb kohë. Dërgon shpejt e shpejt përfaqësuesit e tij në Korint me një letër tepër të ashpër. Papa nuk di të flasë me doreza. Ç’ka për të thënë, e thotë troç! Duke lexuar letrën e tij, krerët e krizës ulin kokën të skuqur nga turpi. “Papa ynë ka të drejtë, uniteti i Kishës është pasuri tepër e çmuar! Në se nuk i bindet askujt, bashkësia e krishterë shpërbëhet, humbet, zhduket. Si grigja pa bari. Duhet t’u besojmë prijësve tanë, edhe në se kanë të meta, si gjithë njerëzit”.
Klementi shkon edhe më tej. U kujton korintianëve se e fshehta e lumturisë është dashuria. Korintianët e dinë këtë; ua ka thënë e stërthënë edhe Pali! Kur i duam vëllezërit, nuk çojmë krye, jetojmë në paqe, u shërbejmë të tjerëve me kënaqësi e, në sa shërbejmë, ndjehemi të lumtur. Atje ku mbretëron dashuria, mbretëron gëzimi. E në se nuk duam të jetojmë duke dashur, sigurisht që do të jetojmë duke u grindur.
Këtë herë korintianët e kanë kuptuar. Të dërguarit e Papës s’e kanë përfunduar akoma s’e lexuari letrën, kur korintianët kanë vendosur tashmë të bëjnë kthesë. Mjaft më me grindje! Me sherre. Me gracka e kryengritje. Tani e tutje Kisha e Korintit do të jetojë në paqe: e, në se nis rishtas grindja më e vogël, mjafton të lexohet letra e Klementit, për t’u qetësuar menjëherë.Delegatët e Papës kthehen në Romë tejèt të lum. E falënderojnë nga zemra Atin e Shenjtë për këtë letër, që i ka prekur thellë në shpirt të gjithë. Klementi vë buzën në gaz e falënderon Hyjin; e di se ky është roli i Papës, sot, nesër e në çdo epokë: të flasë në emër të Zotit, për t’i ftuar me forcë të krishterët të jetojnë në paqe e në unitet!







All the contents on this site are copyrighted ©.