2008-01-14 18:26:06

Presidenti italian: Gjendja e Kosovës e ndërlikuar


(14.01.2008)Çështja e Kosovës ka qenë në qendër të bisedimeve ndërmjet presidentit italian Xhorxho Napolitano dhe homologut të tij slloven, Daniel Turk në Ljubljanë. “Çështja e pavarësisë së Kosovës – deklaroi Napolitano – diskutohet konrektisht, por nuk janë bisedime të thjeshta, kanë shumë kundërshti”. Deklarata e pavarësisë, vazhdoi ai, nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet e Kosovës. Presidenti italian nuk deshi të përcaktojë afate, por theksoi nevojën që zgjidhja të jetë e pranueshme nga të 27-të vendet evropiane. Edhe më i rëndësishëm se afati, për Napolitanon është misioni civil dhe policia evropiane, që do të vendosen në Kosovë për të luajtur rolin e moderatorit dhe të stabilizatorit.Ndërkaq, Serbia ka shpallur sot se ka një plan reagimesh politike nëse Kosova do të shpallë pavarësinë, por pa specifikuar qartë se cilat janë ato.
Më pas,presidenti italian dhe ai slloven theksuan se një nga prioritetet më urgjente të semestrit slloven në Bruksel, është afirmimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i të drejtave njerëzore, shoqërore, civile dhe fetare kudo në Evropë. Dialogu ndërkulturor, tema e këtij viti për Bashkimin Evropian, mund të bëhet me sukses vetëm mbi këtë bazë.

OSBE-ja në Kosovë vë theksin mbi mbrojtjen e pakicave. Për këtë është folur në takimin ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe komisarit të lartë të OSBE-së për pakicat etnike, Kurt Folebek në Prishtinë. Sipas këtij të fundit, sido që të jetë statusi përfundimtar i Kosovës, vendi duhet të jetë atdheu i të gjitha bashkësive etnike. Ligji në fuqi është shumë i përshtatshëm për mbrojtjen e pakicave, nënvizoi Folebek, por ai duhet zbatuar në mënyrë shembullore për t’u bërë i besueshëm.
Sipas planit të Ahtisarit, mbi bazën e të cilit pritet të shpallet pavarësia e Kosovës, serbëve u garantohet vetëqeverisje lokale në disa komuna, mbrojtja e trashëgimisë historike e kulturore si dhe mbajtja e lidhjeve me Beogradin.







All the contents on this site are copyrighted ©.