2008-01-14 18:11:10

Benedikti XVI viziton Universitetin e Romës ‘La Sapienca” të enjten e ardhshme.Një pakicë kundërshton:koment i prof. Bruno Dalapikola.


(14.01.2008 RV)RealAudioMP3 Do të zhvillohet në kornizën e universitetit “La Sapienca” vizita e parë e Benediktit XVI për vitin 2008 jashtë Vatikanit. Në Universitetin romak, të enjten paradite, Papa do të marrë pjesë në përurimin e Vitit akademik. Bashkësia akademike e pret me shumë interes takimin me Benediktin XVI. Megjithatë, nuk mungon edhe ndonjë kundërshtim apo nismë me prirje për ta penguar vizitën papnore. “Benedikti XVI nuk duhet të flasë në universitetin ‘La Sapienca’: kjo është thirrja “tolerante” nënshkruar nga 67 pedagogë të universitetit të Romës i cili – na duket e arsyeshme të kujtojmë - është themeluar pikërisht nga një papë: Bonifaci VIII, në vitin 1303. E ndërkaq grupe studentësh njoftojnë se do të organizojnë manifestime anti-Papë në qytezën universitare. Mbi këtë atmosferë, që i paraprin vizitës së Atit të Shenjtë në universitetin romak, të dëgjojmë profesorin e gjenetikës mjekësore pranë ‘La Sapiencës”, Bruno Dalapikola:

Përgjigje: - Duhet të them se kjo është një zgjidhje e turpshme, e cila sigurisht nuk e nderon një universitet të madh, të rëndësishëm, siç është ‘La Sapienca’, të cilit i përkas edhe unë. Një universitet që vite më parë ka mirëpritur një grup Raelianësh që donin të klononin njeriun. Universitet që ia ka hapur portat gjithfarë lloj politikanëve, madje edhe aktorëve, të cilët janë bërë kështu papritmas tepër popullorë. Si nuk u vjen turp atyre, që nënshkruan manifeste të këtij tipi, për të penguar të flasë një personalitet, i cili gëzon respekt botëror? Edhe në se nuk mendojnë njëlloj, në një palestër kaq të madhe të dijes, siç është universiteti, duhet të ketë vend për përfaqësues të ndryshëm të kulturës, aq më tepër kur kemi fatin të vijnë mes nesh figura kaq të shquara. Kundërshtarët kanë frikë se Papa do të na përcjellë një mesazh të rëndësishëm e të fuqishëm. E pastaj duhet ta dinë mirë edhe se Papës nuk mund t’i mbyllen portat e këtij Universiteti, sepse përndryshe, ky do të ishte vërtetë fundi i ‘La Sapiencës’ historike të Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.