2008-01-13 17:02:07

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(13.01.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në festën e Pagëzimit të Zotit, u përkujtuan edhe Shën Hilari, ipeshkëv i Puatjesë e doktor i Kishës e Shën Remigji, ipeshkëv i Reimsit.

Pranë Detit të Galilesë, Jezusi merr me vete Pjetrin e Andrenë, Jakun e Gjonin e u mëson një mjeshtri të re: i bën peshkatarë njerëzish. Këtë na kujtojnë, me liturgjinë e festës së tyre, Shën Feliçi i Nolës (shqip - Gëzimi) dhe Shën Malakia profet, që do të kremtohen ditën e hënë, me të cilën fillon java e parë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.

Të martën e ardhshme do të përkujtohen Shenjtorët Pali vetmitar, Gjon Kalibiti, murg dhe Mauri abat. Në festën e tyre jehon rishtas fjala e re që u dëgjua për herë të parë në sinagogën e Kafarnaos, fjalë që e trandë dhe e çliron ndërgjegjen, fjala e Krishtit, Zotërisë së Kishës.

Shtëpia e Simon Pjetrit është ‘shtatmadhoria’ e veprimtarisë së Krishtit në Galile. Por misioni i tij nuk mund të mbyllet ndërmjet katër mureve të një shtëpie. Misioni i tij universal shumë shpejt do të kapërcejë mure e kufij, për t’u përhapur deri në skajet më të largëta të botës. Këtë na kujtojnë, të mërkurën, Shën Marçeli papë e martir dhe Shën Prishila, matronë romake.

Të enjten, festën e Shën Andout Abat, nga elterët e kishave lartohet britma e njeriut, që nuk gjen qetësi as në vetminë më të thellë të shkretëtirës, sepse tunduesi është gjithnjë aty, pranë: “Na shpëto, o Zot, me mëshirën tënde!”.

Në festën e Shën Priskës, themeluese e Kishës me të njëjtin emër në Aventin, që do të kremtohet të premten e ardhshme, duke shfletuar Ungjillin e ditës, ndalohemi tek shembëlltyra e vejushës, që kërkon drejtësi prej një gjykatësi të padrejtë. Është simbol që na kujton se duhet të lutemi me durim e shpresë.

Java mbyllet, të shtunën e ardhshme, me festën e Shën Gjermanikut, martir i Filadelfies; Shën Gjonit, ipeshkëv i Ravenës, Shenjtorëve Mariani, Marta, Audifaçe e Abako, martirë. Liturgjia e festës na kujton një nga skenat më dramatike të Ungjillit sipas Gjonit: ngjalljen e Lazrit, në të cilën shikojmë qartë pushtetin e Krishtit të ngjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.