Imzot Mamberti: të mbrohet liria fetare duke luftuar kundër kristianofobisë, islamofobisë
dhe antisemitizmit.
(13.01.2008 RV)Selia e Shenjtë nuk bën diplomaci për interesa të tipit politik
ose ekonomik, por për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut,
ndërmjet të cilave – qëndrore – liria për praktikimin e fesë. Mbi këto argumente foli
kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, në
Konferencën e mbajtur në Universitetin Papnor të Shenjtes Krygjë në Romë. Konferenca
ishte tepër aktuale, sepse e lidhur me fjalimin që Benedikti XVI i drejtoi pak ditë
më parë Trupit Diplomatik, akredituar pranë Vatikanit. “Mbrojtja e së drejtës
të lirisë fetare në veprimtarinë aktuale të Selisë së Shenjtë” – ishte tema e konferencës,
e për këtë mbrojtje – vazhdimisht në qendër të vëmendjes së Papës e të përfaqësuesëve
të tij nëpër botë - foli imzot Mambertì, duke pohuar qartë se liria fetare është një
e drejtë e domosdoshme, me përmasa private, publike e institucionale. Mbrojtja e lirisë
fetare – siç ka thënë Gjon Pali II - është letër lakmusi për të vërtetuar edhe respektimin
e të drejtave të tjera. Në se dhunohen liria e shprehjes dhe praktikimi i fesë, vërejti
sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, sulmohet baza e respektit për
të gjitha të drejtat e tjera: prandaj mund të themi se kur është në rrezik liria fetare,
të gjitha të drejtat e tjera lëkunden në themel. Duke pasur parasysh organizatat
ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara ose Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë
(OSBE), imzot Mambertì nënvizoi se ata kanë si detyrë themelore të mbrojnë lirinë
dhe tolerancën fetare, posaçërisht për t’iu kundërvënë çdo lloj forme të diskriminimit
e të persekutimit. Por, që kjo të gjejë shprehjen e vet në luftën për realizimin e
objektivave konkrete e të mos mbetet vetëm në letër, duhet luftuar çdo shfaqje e urrejtjes
kundër të krishterëve apo kristianofobia; kundër myslimanëve-islamofobia e kundër
hebrenjve-antisemitizmi.Në mënyrë të veçantë kristianofobia – shpjegoi prelati – është
një tërësi qëndrimesh që flasin për mungesë edukimi e për mosnjohje, për intolerancë
e persekutim, posaçërisht të ndjeshme në epokën tonë, në të cilën veçimi i fesë nga
arsyeja, e lidh të parën me sferën e ndjenjave, duke e shkëputur nga sfera publike.
Mbrojtja e lirisë së fesë, do me thënë e stabilitetit dhe sigurisë në veprimtarinë
e bashkësisë së krishterë, përbën nervin e veprimtarisë diplomatike të Selisë së Shenjtë.
Së fundi prelati foli edhe për dialogun ndërmjet feve e kulturave. Ky dialog mund
të realizohet – përfundoi imzot Mambertì - vetëm në se nuk hiqet dorë nga e vërteta
dhe në se nismat ndërkombëtare realizohen me vetëdijen se fetë kanë gjithnjë karakteristika
të veçanta e të ndryshme”.