2008-01-12 17:09:22

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(12.01.2008 RV)RealAudioMP3 12 janar: Sot Pali na kujton atë që duhet ta përsërisë përherë çdo i krishterë: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti”.

“Pali e Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezus, gjithë shenjtorëve në Krishtin Jezus që janë në Filipi...”
Si përherë, pasi shkruan fjalët e para të një letre, Pali ndalet paksa, për të reflektuar. Sot ka ndër mend Filipianët. Pali u shkruan vazhdimisht bashkësive të ndryshme të krishtera, që ka themeluar. Pasi iku nga Damasku, i fshehur në kosh, s’pushoi së udhëtuari në viset e Detit Mesdhe. Gjithë energjinë e pashterrshme, që dikur e përdorte për të kapur të krishterët, tani e përdor për të përhapur krishterimin.
Sa herë largohet nga një qytet, ku ka themeluar një Kishë, nuk e harron më. Të krishterët e rinj nuk e ndjejnë veten të braktisur! Pali u shkruan, u jep këshilla, i lut të jetojnë duke e dashur njëri-tjetrin, të mos i lëshojë zemra, kur persekutohen. Me letrat e tij vijon ta organizojë Kishën, ta mbajë të bashkuar. Romakë, efezinë, filipianë, kolosianë, korintianë, galatas, selanikas... i do fort të gjithë, siç duhen bijtë e vëllezërit e preferuar.
Pali vijon plot gëzim Letrën drejtuar Filipianëve:E falënderoj Hyjin tim sa herë më bie ndër mend për ju, e ju kujtoj me gëzim, sa herë që lutem... Kam dëshmitar Hyjin se ju dua pa masë të gjithëve, me dashurinë e Jezu Krishtit”.
Që nga takimi i jashtëzakonshëm me Jezu Krishtin në udhën e Damaskut, Pali jeton vetëm për Të, për t’i shërbyer, për ta bërë të njohur kudo atë Krisht, që i desh njerëzit deri në atë pikë, sa të vinte në botë jo si mbret, por si varfanjak...
Pupla e Palit lëviz me vrull mbi letër. Janë hovet e zemrës që e bëjnë dorën të lëvizë me aq shkathtësi.
Krishti, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Atin nuk e çmoi si një vizar që i përkiste vetëm atij, por e zhveshi vetveten, duke marrë natyrën e shërbëtorit e duke u bërë i ngjashëm me njerëzit edhe për nga pamja e jashtme. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri sa vdiq në Kryq. Hyji e lartësoi teksve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër; që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju, në qiell, në tokë e nën tokë; e çdo gjuhë të dëshmojë se Jezu Krishti është Zot, për lumni të Hyjit Atë”.Pupla lëviz e letra jehon si një këngë, që përmbledh me pak fjalë, dashurinë e Jezusit për njerëzit. Të duket sikur vetë Shpirti Shenjt i vë në maje të puplës fjalët që përdor, kur shkruan për këtë mister të madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.