2008-01-11 18:09:37

Papa Inspektoriatit të Sigurimit Publik: Familja është vatra kryesore për qytetërimin e njeriut e të shoqërisë.


(11.01.2008 RV)RealAudioMP3 Tema e familjes ishte sot në qendër të vëmendjes në takimin tradicional të Papës me Inspektoriatin e përgjithshëm të Sigurimit Publik, që kryen shërbimin pranë Vatikanit, për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri.
Benedikti XVI u shprehu të pranishëmve mirënjohjen e tij për shërbimin e përditshëm që kryen personeli i Policisë italiane pranë Vatikanit: një shërbim – theksoi Ati i Shenjtë – që karakterizohet nga kujdesi, aftësitë e larta profesionale dhe vëmendja e vazhdueshme për çdo njeri:
“Shoqëria ka nevojë për njerëz që e kryejnë si duhet detyrën e tyre, të vetëdijshëm se çdo punë, çdo shërbim i kryer me ndërgjegje, kontribuon për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e vërtetë të lirë”.
Më pas Ati i Shenjtë i ftoi policët t’i shikojnë shtegtarët e shumtë, që vijnë vazhdimisht në Shën Pjetër, si vëllezër e motra, që Zoti i dërgon në udhën e tyre, me vetëdijen – shtoi Papa - se të gjithë bëjmë pjesë në të njëjtën familje njerëzore, ashtu siç është shkruar edhe në Mesazhin papnor për Ditën Botërore të Paqes me temë: “Familja njerëzore, bashkësi e paqes’:
A s’është e vërtetë… që ne, jo rastësisht, jetojmë njeri pranë tjetrit? A s’ ecim të gjithë në të njëjtën rrugë si njerëz e, prej këndej, si vëllezër e motra?”.
Ja pse është themelore – shtoi Papa - që secili të impenjohet për ta jetuar jetën e vet me përgjegjësi para Zotit, duke pranuar se Ai është burimi i çdo jete:
Në të vërtetë, pikërisht duke u nisur nga ky parim tejet i lartë, mund të perceptohet drejtë vlera e pakushtëzuar e çdo njeriu; e falë kësaj vetëdijeje, mund të krijohen parakushtet për edukimin e njerëzimit paqësor. Duhet ta kemi të qartë: pa bazën e mbinatyrshme, që është Hyji, shoqëria rrezikohet të kthehet në një grumbull njerëzish, që jetojnë pranë e pranë; pushon së qeni bashkësi vëllezërish e motrash, të thirrur për të formuar një familje të madhe”.
E, duke vijuar citimin e Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes, Papa ripohoi:
“Familja natyrore, si bashkim intim i jetës dhe i dashurisë, e themeluar mbi martesën e një burri me një grua, përbën vatrën kryesore të qytetërimit të njeriut e të shoqërisë, djepin e jetës e të dashurisë. Me të drejtë, prandaj, familja quhet shoqëri e parë natyrore, institucion hyjnor, që është në bazë të jetës së njerëzve, si paratip i çdo rendi shoqëror”.







All the contents on this site are copyrighted ©.