2008-01-11 17:56:15

Marrëveshje SHBA-Gjermani për njohjen e pavarësisë së Kosovës


(11.01.2008 RV)Gjermania dhe SHBA-të janë marrë vesh për të njohur pavarësinë e Kosovës, sapo ajo të shpallet, në mënyrë që më pas të tërheqin pas vetes të gjitha shtetet e tjera evropiane. Kështu shkruan në faqen e saj të parë gazeta “International Herlad Tribune” (Interneshënëll Herald Tribjun) dhe gazeta “New York Times” (Nju Jork Tajms), të cilat citojnë burime të rangut të lartë të Bashkimit Evropian.
Sipas gazetave, objektivi është koordinimi i procesit të njohjes së pavarësisë pas turnit të dytë të zgjedhjeve serbe, parashikuar për 3 shkurtin e ardhshëm. Shpresa e dy vendeve të mëdha është që shtetet e tjera evropiane, sidomos ato që lëkunden, si Qipro që është haptas kundër, por edhe Sllovakia, Greqia, Hungaria, Rumania dhe Spanja, të kapërcejnë dyshimet. “Nëse vetëm SHBA-të do ta njihnin Kosovën – citohet një funksionar anonim i Brukselit – pa Bashkimin Evropian, do të kishim një katastrofë të vërtetë”.
Gjithsesi, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për marrëveshjen. Çështja më delikate është që pavarësia e Kosovës të mos shpallet para se 27 vendet evropiane të vendosin dërgimin e misionit të tyre në Kosovë. Nëse pavarësia shpallet më parë, vendet që janë kundër njohjes së saj, mund të votojnë kundër misionit evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.