Diplomacia vatikanase në shërbim të paqes në botë: intervistë me imzot Parolin.
(11.01.2008 RV)Në kuadrin e një
seminari që organizohet çdo javë në Radion e Vatikanit lidhur me misionin e emitentes
sonë për përhapjen e mësimeve të Benediktit XVI në kulturat bashkëkohore, dje paradite,
në Selinë e Pallatit Pio, foli zevendës-sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me
Shtetet, imzot Pietro Parolin. Duke trajtuar temën ‘politika ndërkombëtare në Radion
e Vatikanit dhe kërkesat e Selisë Apostolike’, prelati kujtoi fjalët ‘diplomacia është
arti i shpresës’, theksuar nga Papa gjatë takimit të së hënës së kaluar me Trupin
Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. E diplomatët vatikanas e dinë se
kjo shpresë ka një emër, sepse është diplomaci e meshtarëve. E pyetëm, prandaj, imzotin
Parolin, si lindi konkretisht kjo strukturë e si e çon përpara Vatikani politikën
ndërkombëtare: Përgjigje: - Siç duket, diplomacia e Selisë së Shenjtë ka
lindur nga historia, gjë që do të thotë se Selia e Shenjtë, që në zanafillë, ka gëzuar
personalitet juridik ndërkombëtar. Prej këndej, mund të zhvillojë edhe të gjitha ato
veprimtari që janë tipike për subjektet ndërkombëtare, dmth për shtetet. Ka edhe mundësinë
të dërgojë ambasadorë e të pranojë ambasadorë. Do të thosha se është një mjet, që
i shërben Selisë së Shenjtë si qeveri qëndrore e Kishës katolike, për zhvillimin e
misionit të saj. Pyetje: - Vijmë tek fjalimi i Papës drejtuar pak ditë më
parë Trupit Diplomatik… Përgjigje: - Ati i Shenjtë, në fjalimin e tij drejtuar
Trupit Diplomatik, kërkon të hyjë në situatat e vështira, ose në krizat e botës. Në
këtë fjalim kujton shumë situata të tilla, që shqetësojnë e trondisin mbarë bashkësinë
ndërkombëtare. Besoj se është një fill i kuq që i lidh këto fjalime, e ky fill është
shqetësimi për mbrojtjen dhe promovimin e dinjitetit të njeriut, dinjitet i bazuar
mbi përmasën e mbinatyrshme të njerëzve, një aspekt tjetër ky, që tregon se Selia
e Shenjtë ka vizion të gjithanshëm mbi njeriun; vizion që nuk kufizohet vetëm në
një përmasë të vetme, në atë fizike, materiale, ekonomike, por e shikon njeriun në
tërësinë e tij e mbi këtë tërësi Selia e Shenjtë ngul këmbë gjithnjë. Prandaj mund
të themi se tema e mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, e mbrojtjes së të drejtave
të tij, fillon nga e drejta për jetën, nga çasti i zënies, deri në vdekjen e natyrshme
e deri tek mbrojtja e lirisë së tij. Natyrisht, një aspekt tjetër është ai i edukimit
me frymën e paqes, paqes së kuptuar si tërësi e kushteve që i krijojnë njeriut mundësitë
të zhvillohet si njeri e si bir i Hyjit e të krijojë rreth vetes marrëdhënie të qeta
e të frytshme me të tjerët. Pyetje: - Na duket e arsyeshme të përfundojmë
me fjalët e Benediktit XVI ‘diplomacia është art i shpresës” …. Përgjigje:
- Art i shpresës, sepse art i shpresës do të thotë që ekziston mundësia të zgjidhen
në mënyrë paqësore vështirësitë dhe konfliktet që vërehen në botë. E ky është mesazhi
i madh i diplomacisë. Kemi shumë e shumë shembuj, shumë situata, që mund të mos jenë
gjithnjë në lartësinë e asaj që pritej, por në të cilat shpresa na ndihmon të ecim
përpara; e atëherë kur nuk shihen menjëherë rezultatet, duhet të punojmë me afate
të gjata e – rikutjoj se diplomacia e Vatikanit është diplomaci e meshtarëve - gjithnjë
me ndihmën e Zotit, duke e ditur se hiri i Hyjit i bën të frytshme të gjitha përpjekjet
e mëdha apo të vogla në këtë drejtim.