2008-01-10 18:19:29

“365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës”.


(10.01.2008 RV) 10 janar: “Sot po flasim për një Shenjt shumë të njohur e të nderuar në Shqipëri: për Shën Shtjefnin, të cilit vetëm në Shkodër i kushtohen dy katedrale: ajo e qytetit e ajo e Kështjellës Rozafa. Është martiri i parë i krishterimit. Na kujton se fjalët e Krishtit: “Do t’ju persekutojnë për shkakun tim”, mbeten gjithnjë aktuale.

“T’ia mbyllim një herë e mirë gojën!”.
“ Vdekje!”.
Kështu këlthasin hebrenjtë e tërbuar, në sa shtyjnë para djaloshin e tyre, Shtjefnin. E zvarisin pa mëshirë deri më të dalë të qytetit, për ta mbytur, për t’ia mbyllur më në fund gojën me gurë. Nuk mund ta dëgjojnë më duke folur për Krishtin e tij. Sigurisht që ky Krisht vijon ta trazojë akoma jetën e tyre. Duke e kryqëzuar këtë mashtrues, që e mbante veten si shpëtimtar, mendonin se ishin çliruar përfundimisht nga ai. Por zëri i tij vijon të jehojë në gojën e dishepujve të cilët, me fjalët e tyre, e çojnë peshë gjithë qytetin. Shtjefni bën pjesë në këtë bandë. Apostujt e kanë emëruar diakon e që atë ças ka nisur të mendojë se mund të bëjë ç’të dojë. Arrin deri atje, sa të marrë guximin të vijë në tempull e t’i akuzojë disa nga hebrenjtë se nuk e mbajnë si duhet ligjin. Si guxon t’i sulmojë në këtë mënyrë, pikërisht ata që e dinë përmendësh ligjin hebraik dhe e respektojnë me besnikërinë më të madhe?
“Mbylljani gojën!” - ulurijnë gjithnjë më tërbueshëm burrat që janë mbledhur për të mbytyr një djalosh me gurë. Për të mbyllur një gojë, që nuk flet me vete, por që e dëgjojnë gjithnjë më shumë njerëz. E jo vetëm e dëgjojnë, por edhe ia pëlqejnë fjalën. Madje edhe e ndjekin pas. Tepria ka mrekullinë!! Gurët bien si breshër mbi trupin e djaloshit. E ai shembet përdhé. Lutet për ata që po e mbysin - e, sidomos, për atë të riun, atje, nga fundi i turmës, për atë që quhet Sauli i Tarsit, që rri në këmbë, duke u dridhur nga inati, përballë qetësisë me të cilën i pret gurët i riu, i cili do të vdesë së shpejti, i larë në gjakun e vet.
Sauli i urren me gjithë shpirt të krishterët. Nuk mund t’i shohë me sy këta njerëz që besojnë se Krishti është Shpëtimtari i premtuar i Izraelit. E pse nuk duan ta pranojnë se kanë gabuar? Se ai, që presin hebrenjtë, është një mbret i madh, një çlirimtar i jashtëzakonshëm, e jo një qyqar. Një nazarenas pa plang pa shtëpi! Janë tepër kryenejçë. E ja,tani na del një farë Shtjefnit që është gati të japë edhe jetën, ashtu si Mesia i tyre.
Sauli ndjek i kënaqur me sy fluturimin e gurëve mbi atë grumbull të mjerë mishi e gjaku, por ky djalosh, që s’trembet nga gurët, as nga gjaku, e ngacmon keqas. Ç’shikon ashtu plot dashuri para vdekjes? E pse ia ngul ata sy e duket sikur ia drejton pikërisht atij fjalët e fundit: “Falja, o Zot, fajin”.
Shtjefni vdes. Është martiri i parë i krishterimit. I pari që dha jetën për Krishtin.... e për Saulin. Në të vërtetë ai që e shikonte me kënaqësi kur po vdiste, ndoshta nuk ështe më ashtu siç kishte qenë në fillim të kësaj shfaqjeje gjakatare. S’do të kalojë shumë kohë e edhe ai do ta kumtojë Lajmin e Mirë. Sauli nuk është tjetër, veçse Shën Pali, ai të cilit Zoti do t’ ia prekë zemrën në mënyrë të paharrueshme në udhën drejt Damaskut.







All the contents on this site are copyrighted ©.