(10.01.2008 RV)Pas sulmeve të së
dielës së Dëftimit të Zotit në Mosul e Bagdad, atentate të reja regjistrohen kundër
objektivave të krishtera në Irak. Tri autobomba shpërthyen dje në Kirkuk. Ndër objektivat,
katedralja kalde e Zemrës së Krishtit dhe kisha siro-katolike e Shën Efrehemit. “Jemi
të shqetësuar – deklaron për agjensinë katolike Asianews (Azianjus), imzot Luis Sako,
kryeipeshkëv kalde i Kirkukut – por do ta vazhdojmë impenjimin tonë në dialogun ndërfetar”.
Ironi e fatit, pikërisht dje, kryeministri irakian Al-Maliki u pati siguruar të krishterëve
“mbrojtje dhe drejtësi”. Në mikrofonin tonë Adib Fateh Alì, zëdhënës i Bashkësisë
irakiane në Itali: Sinqerisht, përshtypja është se kemi të bëjmë me atentate
të koordinuara, për nga niveli, për nga numri, e madje edhe për konçidencën – në Bagdad
festa e Ujit të Bekuar, në Kirkuk tri kisha goditen gati njëkohësisht. Ngrihen me
të vërtetë një sërë pyetjesh se kush mund të jenë dërguesit. Të krishterët duket se
janë lënë pak në mëshirë të fatit. Përveç Sirisë, në Kurdistan, në veri të Irakut,
deri dje të krishterët jetonin relativisht të qetë, ndërsa sot kërcënohen edhe banorët
autoktonë të krishterë, që janë të pranishëm masivisht në Mosul dhe Kirkuk. Shtypi
irakian nuk u jep fare rëndësi këtyre ngjarjeve dhe as që e ka përmendur deklaratën
e kryeministrit për të krishterët. Duket se ajo është bërë për ta dëgjuar perëndimorët.
Të gjithë merren me probleme të tjera, që i njohim tashmë.