2008-01-09 18:34:04

“365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës”.


(09.01.2008 RV)RealAudioMP3 Të dashur miq që na dëgjoni. Tani që përfundoi Koha e Krishtlindjes dhe nisi një Vit i ri, edhe ne po nisim një rubrikë të re. Do të mund ta ndiqni ditë për ditë, për të njohur nga afër njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës. Po fillojmë me figura e histori nga Besëlidhja e Re, për t’ju njohur me Lajmërimin e Zojës, me Shën Jozefin e me ngjarje të tjera kishtare, duke kaluar, pastaj, tek figura të shquara burrash e grash që punuan për fenë, për arsimin dhe edukatën e krishterë, që predikuan Lajmin e Mirë. Pastaj do të ndjekim rrugën që përshkuan shumë njerëz të shquar, të cilët bënë kthesë e besuan në Jezu Krishtin, duke nisur nga Shën Pali, për të vijuar me Kostandinin e Madh e ngjarje që tronditën e rinuan botën në shekuj. Do të ecim edhe pas gjurmëve të atyre që e predikuan Ungjillin deri në skajet më të largëta të botës, që u martirizuan për Krishtin, që punuan për drejtësinë, për dashurinë, për paqen, për përparimin e shkencës, për kulturën, për artin.
Do të përshkruajmë, së fundi, histori shtegtimesh, dukjesh, mrekullish, personalitetesh që mbrojtën dinjitetin e njeriut, që zgjodhën rrugën e jetës rregulltare, e jo më pak, histori laikësh, që lanë gjurmë të dukshme në jetën e Kishës.
Ditë për ditë një figurë e madhe, një ngjarje që meriton të njihet!

9 janar: Të dëgjojmë sot ç’na tregon për veten Shën Pjetri, ai të cilit Krishti i tha:
‘Ti je Pjetër (shkëmb) e mbi këtë shkëmb do të themeloj Kishën time’:
“Jetoja me prindërit e mi e me vëllaun tim, Andreun, në brigjet e Liqenit të Tiberiades, në Kafarnao, një fshat i vogël përplot me të huaj e njerëz në kalim. Isha peshkatar. Një ditë Jezusi erdhi në bregun e liqenit për të na folur për Hyjin. Na fliste në një mënyrë aq të re, sa priftërinjtë e dijetarët e fesë sonë nuk arrinin ta kuptonin. Na u drejtua mua e tim vëllau, Andreut, e na tha ta ndiqnim. Pranuam pa ngurrim. Madje mua nisi të më thërrasë me një emër të ri. Më quanin Simon, por ai më tha se që nga ai çast do të thirresha Kefë, dmth Pjetër-Shkëmb. Një shkëmb për të ndërtuar mbi të Kishën. Për Jezusin, ta duash Hyjin, do të thotë ta duash konkretisht njeriun. Të besosh në Të, do të thotë të përhapësh rreth teje mirësi. E unë, Çefa, me që e ndoqa që në fillim, mund t’ju dëshmoj se Ai e jetonte, atë që predikonte, duke shëruar shumë njerëz të plagosur në korp e në shpirt.
Nuk e ndiqja vetëm unë. Me mua, përveç tim vëllai, Andreut, ishin edhe Jaku, Gjoni e të tjerë. Ishim gjithësejt dymbëdhjetë. Të gjithë ata që e dëgjonin kur fliste, na pyesin kush ishte. Nganjëherë edhe ai vetë na drejtonte pyetjen: “Po ju, kush thoni se jam unë?” Nuk ishte e lehtë t’i jepje përgjigje: nga njëra anë ishte njeri si ne, kishte lindur në Betlehem, disa ia kishin njohur t’anë, Jozefin, që punonte zdrukthëtar, ndërsa e ëma ishte me ne. Por nga ana tjetër, e njihte aq thellë Hyjin, sa menjëherë të lindte pyetja mos ishte ai vetë i dërguari i Tij, Mesia, për të cilin flisnin Shkrimet. Një ditë ma drejtoi mua drejtpëdrejtë pyetjen: “E ti, kush thua se jam unë?”. Nuk ngurrova për asnjë çast. Iu përgjigja se besoja, po, besoja, se ai ishte Biri i Hyjit, Mesia. E ai më zgjodhi kryetar të atyre që e ndiqnin.Pas vdekjes së tij, e pamë përsëri të gjallë. Kur u largua përfundimisht nga ne, na dërgoi Shpirtin e vet. Shumë nga banorët e Jeruzalemit u pagëzuan e me ta krijuam bashkësinë e parë. Që atëherë Kisha u rrit e tani bashkësitë e krishtera, në të cilat njerëzit jetojnë si vëllezër, mund t’i gjesh kudo. Në këtë çast, kur po shkruaj, unë nuk jam më në breg të liqenit duke peshkuar. Jam në Romë e romakët më kanë mbërthyer me zinxhirë. Së shpejti do të më martirizojnë. Po unë nuk kam frikë, sepse e di që Jezusi tashmë e ka mundur vdekjen!







All the contents on this site are copyrighted ©.