2008-01-09 18:32:03

Papa në audiencën e përgjithshme flet për Shën Agostinin e - për futbollin.


(09.01.2008 RV)RealAudioMP3 “Jeta e Shën Agostinit është shembull i veprimit të hirit hyjnor që i drejton ngjarjet e ndërlikuara të jetës së njeriut drejt së Vërtetës përfundimtare, drejt bashkimit me Krishtin e drejt shërbimit ndaj Kishës së Tij. Shenjti ndikoi fuqimisht mbi letërsinë e krishterë. Na la shumë vepra të rëndësishme”. Këtyre e ngjarjeve të tjera të jetës shpirtërore të Prelatit afrikan – tha Papa – do t’i kushtohen audiencat e ardhshme të përgjithshme.
“Njeri me pasion e fe, inteligjencë të jashtëzakonshme e zell të palodhshëm baritor” – ky, sipas Papës, ishte Shën Agostini, më i madhi ndërmjet Etërve të Kishës latine, i lindur në Tagaste, Algjeria e sotme, në vitin 354, i njohur shpesh, së paku për emër, edhe nga ata që nuk e njohin krishterimin ose që nuk kanë familjaritet me të”.
Rrallë herë ndonjë qytetërim gjeti një shpirt kaq të madh, që dinte t’i pranonte vlerat e të nxirrte në pah pasurinë vetjake, duke gjetur gjithnjë ide e forma me të cilat do të ushqeheshin pasardhësit, siç pati nënvizuar Papa Pali VI: “Mund të thuhet se në veprën e tij përmblidhet gjithë mendimi i lashtësisë e se prej saj burojnë të gjitha rrymat e mendimit, që përshkojnë mbarë traditën doktrinore të shekujve të mëparshëm”.
I edukuar në fenë e krishterë nga e ëma, Monika, Agostini i ri e braktisi shumë shpejt Kishën katolike, por gjithsesi mësimet e nënës së shenjtë nuk u shlyen krejtësisht nga shpirti i tij: diçka mbeti:
“Ai mbeti përherë i mahnitur nga figura e Jezu Krishtit e na thotë se Jezusin e e deshi gjithnjë; nuk u largua nga Zoti, pra, por nga feja e kishës, nga praktika kishtare, ashu siç u ndodh edhe sot shumë të rinjve”.
E, ndonëse u largua nga praktika kishtare, Agostini – tha më pas Papa – vijoi ta kërkonte me pasion të Vërtetën e, i shtyrë nga ky pasion, lexoi Ortensin e Ciceronit, vepër që sot ka humbur:
“Ky libër i zgjoi në shpirt dashurinë për diturinë, siç shkruan në ‘Rrëfimet’ e tij, kur ishte tashmë ipeshkëv. Libri ia ndryshoi me të vërtetë mënyrën e kuptimit të botës, aq sa papritmas para syve të tij humbi vlerën çdo shpresë e kotë e nisi të dëshirojë me gjithë zemër vetëm pavdekësinë e diturisë”.
Filloi, atëherë, të interesohej për manikejtë, që premtonin një fe racionale dhe e paraqitnin botën të ndarë ndërmjet parimit të së mirës e të së keqes. Në manikeizmin – të cilit i përkisnin shumë personalitete me ndikim në shoqërinë e kohës – Agostini gjeti edhe rrugën më të lehtë për të bërë karrierë, por s’ vonoi e mbeti i zhgënjyer, sepse nuk arriti t’u japë përgjigjen e duhur dyshimeve, që ia trazonin shpirtin. Gjithnjë në kërkim të së Vërtetës, u nis për në Romë, pastaj për në Milano, ku zuri një vend të shquar pranë oborrit perandorak. Duke dashur të pasurojë njohuritë e tij retorike, nisi të ndjekë predikimet e Ambrozit ipeshkëv e mbeti i mahnitur nga fjalët e tij, të cilat e udhëhoqën drejt leximit korrekt të Shkrimit Shenjt. E pikërisht Shkrimi Shenjt, që në rininë e parë i qe dukur i pagdhendur, i tregoi tani udhën që çon tek Jezusi, unitetin e misterit të Krishtit në histori dhe sintezën ndërmjet filozofisë, racionalitetit e fesë në Logosin e Hyjit, në Krishtin, Fjalën e amshuar që u bë njeri.
Pasi kishte lexuar shkrimet e filozofëve të shquar, Agostini vijoi të rilexonte Shkrimin Shenjt. Arriti kështu – tha Papa - të bënte kthesën e madhe – pas një shtegtimi të trazuar shpirtëror. I pagëzuar më 24 prill të vitit 387 nga Ambrozi, u kthye në Afrikë me dëshirën që t’i kushtohej jetës monastike e t’i kalonte ditët me lutje e studim. Por në vitin 391, në kundërshtim me vullnetin e tij, u shugurua meshtar, ndërsa në vitin 395, ipeshkëv i Iponës. Këtu shërbeu për 35 vjet me radhë, duke ushtruar një ndikim të fuqishëm në udhëheqje të Kishës katolike të Afrikës romake e të krishterimit të kohës së tij në përgjithësi, duke përballuar prirjet e gabuara fetare e herezitë e fuqishme si manikeizmi, donatizmi e pelagianizmi, që vinin në rrezik besimin e të krishterëve në Hyjin e vetëm e të pasur me mëshirë:
“Qe ipeshkëv shembullor në zellin e tij baritor: u predikonte besimtarëve disa herë gjatë javës, ndihmonte të varfërit e jetimët, kujdesej për përgatitjen e klerit dhe për organizimin e kuvendeve femërore e mashkullore”.
Agostini – pohoi Benedikti XVI – e lëshoi veten në dorë të Zotit ditë për ditë, deri në ditën e fundit, një nga ditët e vitit 430 kur, duke u dridhur nga ethet e forta, kërkoi t’ia shkruanin Psalmet pendestare në faqen e murit përballë krevatit, që të mund t’i lexonte, në sa sytë i mjegulloheshin nga vdekja.
Ky ishte Shën Agostini që ua përshkroi sot shtegtarëve Papa i cili, si kreu katekizmin, përshëndeti posaçërisht drejtuesit dhe futbollistët italianë të Serisë D, të pranishëm në audiencë, të cilët i dhuruan Atit të Shenjtë një top futbolli dhe një bluzë të kaltërt, me shkrimin: ‘Benedikti XVI’. Ati i Shenjtë uroi që loja e futbollit të jetë gjithnjë mjet për edukimin me vlerat e ndershmërisë, të solidaritetit e të vëllazërisë, posaçërisht ndërmjet breznive të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.