2008-01-09 18:33:36

Fondacioni Migrantes shpjegoi mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit.


(09.01.2008 RV)RealAudioMP3 “Të rinjtë emigrantë, pasuri apo provokim?”: ky është titulli e nëntitulli me të cilin Fondacioni Migrantes i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, paraqiti sot paradite në sallën ‘Markoni’ të Radios sonë, Mesazhin papnor për Ditën Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, më 13 janar 2008.
Gjatë paraqitjes u kujtua se sot, në Bashkimin Evropian, numrohen 28 milion emigrantë, nga të cilët, 3 milion e 690 mijë vetëm në Itali: këto janë të dhënat e Dosjes Karitas/Emigrantët 2007. Atyre u kushtohet Dita Botërore e emigrantit dhe e refugjatit, për të cilën Benedikti XVI ka shkruar një mesazh, të titulluar “Të rinjtë emigrantë”. Ndërsa Fondacioni i KII për emigrantët, shtoi edhe nëntitullin “Pasuri apo provokim”. Nuk ka dyshim se të rinjtë deri në moshën 25 vjeçe përbëjnë shumicën në rritje të emigrantëve. Imzot Piergjorgjo Saviola, Drejtor i përgjithshëm i Fondacionit Migrantes, e vlerëson kështu praninë e tyre:
“Janë një kapital që duhet vlerësuar, nuk duhet lënë pas dore, e aq më pak, nuk duhet çuar dëm. Janë kapital, pasuri. Në planin demografik, duke pasur parasysh pakësimin numerik dhe plakjen e popullsisë sonë; në planin ekonomik duke mos harruar se vijon të ndjehet nevoja e krahut të huaj të punës, të paktën sot për sot. Edhe në planin e integrimit përbëjnë një burim të çmuar. Mund të themi se sot janë gjithnjë më të mira e më të vetvetishme, marrëdhëniet e përditshme ndërmjet italianëve e të huajve në bankat e shkollës, në fushat sportive e në rrugë”.
Prej këndej buron edhe nevoja që shoqëria laike e kishtare t’i pranojë përgjegjësitë që ka ndaj emigrantëve e t’i nxisë konkretisht t’i vënë energjitë e tyre në shërbim të së mirës së përbashkët, në vendin ku jetojnë, punojnë, mësojnë, rriten e ku, për fat të keq, jo gjithnjë e ndjejnë veten të sigurtë. E këtu duhen kujtuar fjalët e Papës në mesazhin për Ditën e tyre botërore: “Të dashur të rinj emigrantë, përgatituni për të ndërtuar, pranë bashkëmoshtarëve tuaj, një shoqëri më të drejtë e më vëllazërore, duke i kryer me kujdes e seriozitet detyrat tuaja ndaj famijes e ndaj shtetit”.
Studentët besimtarë, të cilët për arsye studimi jetojnë larg shtëpisë, Benedikti XVI i nxit në mënyrë të veçantë të thellojnë dijet e dashurinë për Krishtin dhe i porosit: “Duke ardhur nga kultura të ndryshme, por të bërë një, sepse i përkisni së njëjtës Kishë të Krishtit, mund të tregoni se Ungjilli është i gjallë e i përshtatshëm për çdo situatë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.