(08.01.2008 RV)Në shekullin V, pas sulmeve të pandërprera të pushtuesve vizigotë,
ostrogotë, vandalë, svevë, burgundë, frankë perandoria romake e Perëndimit u shemb.
Ndërsa mbretëronte atmosfera e shkatërrimit të përgjithshëm, Kisha katolike mbetej
e vetmja pikë referimi për mbijetesën e njerëzve të tmerruar. Në këto rrethana historike
kreu misionin e tij Shën Severini, Apostull i Norikut. I lindur në gjirin e një familjeje
fisnike romake rreth vitit 410, pasi jetoi në Lindje, rreth vitit 454 u vendos pranë
Danubit, në kufirin ndërmjet Norikut e Panonisë, ku ngriti shumë kuvende për të strehuar
popullsitë e kërcënuara nga sulmet barbare si dhe për të vijuar rrezatimin e mësimeve
të Ungjillit në gjirin e popullsive të reja. Nisi kështu jetën kundruese, eremitike
dhe misionare duke hyrë në lidhje të drejtpëdrejtë me popullsitë barbare, në përpjekjen
për t’u ndriçuar mendjet e për të përtrirë shoqërinë romake në rënie, permes shkrirjes
së forcave të vjetra me ato të reja. Me guxim të pashoq, që çuditi deri luftëtarët
më të vrazhdë, arriti në Komagjene, që ishte ndër duart e armiqëve. E me bamirësinë,
dashurinë dhe kujdesin e tij të jashtzakonshëm për nevojtarët, arriti të fitonte përfundimisht
zemrat e thjeshta të barbarëve, duke filluar nga krerët e tyre, të cilët nisën ta
dëgjonin plot respekt çdo fjalë të Shenjtit e të këshilloheshin me të para çdo ngjarjeje
të madhe, si të ishte lajmëtar qiellor. E nuk munguan edhe shenjat që vinin nga qielli,
për të vërtetuar parafoljet e tij. I nderuar dhe i dashur si nga njerëzit e thjeshtë,
ashtu edhe nga mbretërit e nga luftëtarët, ai jetoi varfërisht, pa kërkuar kurrë përfitime
materiale. Vishej njëlloj verë-dimër, flinte pak orë i shtrirë përdhe, me ijet e ngjeshura
në grathore; në kohën e Kreshmëve hante vetëm një herë në javë. Vdiq më 8 janar të
viti 482. Reliket e tij nderohen në Fratamagjore, pranë Napolit.