2008-01-08 18:04:02

Përkujtim ditëlindjesh: Gavril Dara (i Riu) dhe Anton Pashku


(08.01.2008 RV)Gavril Dara (i Riu) në përvjetorin e 182-të të ditëlindjes.
Gavril Dara (i Riu), bir i Andrea Darës e nip i Gavril Darës "Plakut" - emra të shquar të një familjeje arbëreshe, që i dha shumë Rilindjes sonë Kombëtare, lindi 182 vjet më parë, më 8 janar 1826, , në fshatin sicilian Palac Adriano.
Mësimet e para i kreu në seminarin italo-arbëresh të Palermos, fidanishte shqiptarësh të kulturuar e patriotë. Më pas vijoi studimet për drejtësi, duke ecur në gjurmët e traditës familjare. Iu desh ta ushtrojë profesionin në shumë qytete të italisë, ku u bashkua me garibaldinët, në luftë për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë. Më 1871-74 drejtoi në Romë gazetën politike "La Riforma" të Frano Krispit, edhe ky arbëresh, shumë i njohur në politikën italiane të kohës dhe objekt i satirës së Atë Fishtës, i cili e sulmoi ashpër për qëndrimin negativ ndaj fateve të Atdheut të të parëve. Ndoshta prandaj, i zhgënjyer, Dara do të largohej shpejt nga drejtimi i gazetës e nga çdo veprimtari politike.
Njeri me kulturë poliedrike, Gavril Dara i Riu u muar me poezi, drejtësi, filozofi e arkeologji.
Hartoi një fjalor italisht-shqip e botoi vëllimin me vjersha titulluar "Disa poezi", ndëmjet të cilave "Himni i Garibaldit. Por kryevepra e tij mbetet poema epiko-lirike "Kënga e sprasme e Balës".
Dara vlerësohet si poet romantik, që mishëron të gjitha tiparet e Rilindjes Kombëtare. Vdiq në Girgjenti më 1889, ndërsa ishte tërhequr plotësisht nga jeta politike, duke iu kushtuar kryesisht arkeologjisë dhe gjuhës shqipe.

Në kujtim të Anton Pashkut
Anton Pashku lindi 71 vjet më parë, më 8 janar 1937 në Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit. U shkollua në Prizren dhe në Prishtinë. Deri në vdekje punoi redaktor në gazetën "Rilindja". Është autor i vëllimeve në prozë: ‘Tregime’ (1961), ‘Një pjesë e lindjes’ (1965), ‘Kulla’ (1968), ‘Kjasina’ (1973), ‘Lutjet e mbrëmjes’ (1978); i dy dramave: ‘Sinkopa’ (1969), ‘Gof’, 1976 dhe i romanit ‘Oh’ (1971). Me shkrimet e tij nuk synon të arrijë masat e gjera të publikut, por lexuesin e shkolluar, që pëlqen vrojtimet hermetike dhe imtësitë e analizës së karakterit në romanet psikologjike. Shtypja e egër politike mbi brezin e parë të prozatorëve kosovarë, në fund të viteve pesëdhjetë, e bëri të tërhiqet nga shtrati kryesor i krijimtarisë letrare e të krijojë një botë hermetike të vetën.
Anton Pashku renditet ndër stilistët më të mirë në letërsinë shqiptare. Vdiq në vitin 1995.







All the contents on this site are copyrighted ©.