2008-01-08 17:02:25

Jehona ndërkombëtare e fjalimit të Papës drejtuar Trupit Diplomatik: ‘Shpresa në Zotin dhe dinjiteti i njeriut janë në bazë të paqes së drejtë për njerëzimin’.


(08.01.2008 RV)Krizat e mëdha ndërkombëtare, mbrojtja e jetës, dialogu ndërfetar: fjalimi drejtuar dje Trupit Diplomatik, në të cilin Benedikti XVI preku të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, pati jehonë të gjërë në nivel ndërkombëtar. Shumë nga mjetet kryesore të komunikimit i lidhën fjalët e Papës me reflektimin e tij mbi globalizimin, mbajtur një ditë më parë, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit.
Mjetet e ndryshme botërore të komunikimit po theksojnë më shumë temat që i përkasin zonave të tyre gjeografike, sesa temat e tjera të reflektimit të gjërë papnor.
E përditshmja katolike franceze ‘La Croix’, që në titull, vë theksin mbi thirrjen e Papës për përdorimin moral të shkencës, ndërsa ‘Le Monde’, ashtu si edhe ‘France Presse’ nënvizon me forcë thirrjen e Benediktit XVI për organizimin e një diskutimi global ‘mbi shenjtërinë e jetës njerëzore’. Agjensia ‘Rojters’, ashtu si pjesa më e madhe shtypit amerikan, si dhe ‘The Canadian Press” vënë në dukje thirrjen e Papës që armët e shkatërrimit në masë të mos përfundojnë në duart e terroristëve. Shumë gazeta i titullojnë shkrimet e tyre me fjalët e Benediktit XVI lidhur me krizën në Lindjen e Mesme. Tituj të kësaj natyre gjejmë në agjensinë e shtypit kuvaitian KUNSA, që nënvizon qëndrimin e Atit të Shenjtë kundër zgjidhjeve të pjesëshme e të njëanëshme të krizës në zonë. Gazeta spanjolle ‘ABC’ kujton thirrjen që u bën Papa izraelitëve e palestinezëve që të ecin në rrugën e marrëveshjeve të arritura në Anapolis. Gazeta ‘Times’ e Johanesburgut nënvizon shqetësimin e Benediktit XVI për krizën humanitare në Darfur, ndërsa ‘International Herald Tribun’ ndalohet në mënyrë të posaçme tek thirrja e Atit të Shenjtë për paqe në Kenia, pas dhunës së ushtruar ditët e fundit në vendin afrikan. E përditshmja venezuelane ‘El Nacional’ e përqëndron vëmendjen tek urimi i Benediktit XVI për ardhmërinë më të mirë të popullit kuban, ndërsa gazeta meksikane “El Financiero’ nënvizon intersimin e Papës për popullsitë latinoamerikane, të tronditura nga katastrofat natyrore. Së fundi, gazeta italiane ‘Corriere della Sera’ i lidh fjalët e Papës mbi shenjtërinë e jetës, me debatin politik mbi abortin, në vijim e sipër në Itali. Shihet qartë pra, se ç’jehonë ka e ç’ diskutim ka ngjallur fjalimi i Papës në mbarë botën; e jo vetëm lidhur me temat që kujtuam më lart, por edhe me tema të tjera kyçe, siç është ajo e mbrojtjes së jetës e të paqes në shkallë botërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.