2008-01-08 17:23:42

28 vjet më parë vdiste në burg Imzot Ernest Çoba.


(08.01.2008 RV)28 vjet më parë, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, Imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, pasi, në kundërshtim me natyrën e tij të butë e të brishtë, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar.
Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnuer. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnuer, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit.
Pas vdekjes së Imzot Thaçit dhe arrestimit të Dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, Imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi atë, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, Imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952. Vishte paramentet me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë simbolizonte gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta. Ai merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishtërimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës.
Pas kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqezi i Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqezi i Tivarit, kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzotët Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën dhe Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë.
Ja si e përshkruan Imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë": " Kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve.
Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vogjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të hueja, specialist i teologjisë morale dhe i landëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të lirturgjisë.
Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së kishave, në një të djelë të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej, u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalin të zjarrtë, që i ngjiste predkut, për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat në prag të rrenimit të madh.
Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e kishave do të mbylleshin. Atëherë ai u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.
Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit.Për figurën e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.